Grabitja me armë zjarri dhe palgosja e dy personave në Prizren, 30 ditë paraburgim për të dyshuarit
Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tre personave të cilët janë arrestuar nën dyshimet për tentim grabitje në një argjendari dhe plagosjen e dy personave.
Në njoftimi e Gjykatës bëhet e ditur se ndaj të dyshuarve rëndojnë disa vepra penale.
“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, ndaj të pandehurve: R.F., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ndihma në grabitje nga neni 317 par.1 dhe 4 lidhur me nenin 33 par.1 dhe 2 të Kodi Penal të Republikës së Kosovës; L.L., dhe I.Q., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale; · grabitja në tentativë nga neni 317 par.1 dhe 4 lidhur me nenet 28 dhe 31: · shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 par.1 lidhur me nenin 31; · mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 parag.1· grabitja nga neni 317 parag.1 dhe 3 e lidhur me nenin 31· sulmi ndaj personit zyrtar nga neni 402 parag.1 dhe 3 e lidhur me nenin 31· shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 parag.1 e lidhur me nenin 31· dhe veprën penale asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 321 parag.1 dhe 2 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Tutje bëhet e ditur se dy nga të pandehurit janë të njohur për organet e rendit dhe janë të regjistruar si kryerës dhe të dënuar për vepra të natyrës për të cilën dyshohen.
“Nga të lartcekurat, si dhe duke marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat që dyshohen se janë kryer këto vepra penale dhe rrezikshmërinë e lartë shoqërore, ku dy të pandehurit L.L., dhe I.Q., janë të njohur për organet e ndjekjes dhe janë të regjistruar si kryerës dhe të dënuar për vepra të kësaj natyre për të cilat dyshohen, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm, dhe kjo masë i shërben efikasitetit të procedurës penale ngase do të mundësoj zhvillimin normal të hetimeve, do të parandaloj ikjen apo fshehjen e të pandehurve e po ashtu edhe rrezikun e përsëritjes së ndonjë vepre penale”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, tre të dyshuarit janë arrestuar mëngjesin e së enjtes, nën dyshimet se kanë tentuar të grabisin në një argjendari në Prizren, ku kanë plagosur me armë zjarri pronarin e argjendarisë dhe djalin e tij.