Çfarë janë dy taksat e reja të Trustit për kontributdhënësit
Të martën, Kuvendi i Kosovës me shumicë votash ia miratoi kërkesën Trust-it për taksën vjetore investive dhe atë operacionale për vitin 2022, me anë të së cilës kontributdhënësit obligohen që të paguajnë disa centë për funksionimin normal të këtij institucioni.
Dy kërkesat e Trust-it Pensional të Kosovës ishin që taksa vjetore investive të miratohet në një tarifë prej 0.32 për qind, kurse taksa operacionale prej 0.057 për qind, ose 0.15 cent në muaj për të gjithë kontributdhënësit. Më saktësisht, kontribuesit aktivë në Trust do të paguajnë nga rreth 2 euro në vit për këtë taksë.
Mirëpo, ku do të shkojnë këto mjete dhe për çfarë do të përdoren?
Nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës kanë deklaruar për Buletinin Ekonomik se të gjitha tarifat e ngarkuara nga Trust-i do të përdoren për t’i mbuluar vetëm shpenzimet për investim të mjeteve pensionale dhe operimin ditor të këtij institucioni dhe asnjë arsye tjetër.
Jeton Demi, zyrtar i Trust-it, ka thënë se sipas ndryshimeve në kuadër të Ligjit Nr. 04/L-168, FKPK-ja ka ngarkuar tarifën investuese për kontributdhënësit për të mbuluar shpenzimet që lidhen me investimin e mjeteve pensionale në tregjet financiare globale dhe tarifën operacionale për mbulimin e shpenzimeve të tjera në zyrat e FKPK-së.
Sipas Demit, arsyeshmëria e këtyre tarifave ndërlidhet drejtpërdrejt me ekzistencën dhe funksionimin e institucionit, por edhe investimit të mjeteve pensionale, për t’ua ruajtuar dhe ngritur vlerën atyre njëkohësisht.
“FKPK-ja nuk është institucion që financohet nga buxheti i Kosovës por financohet në mënyrë të ngjashme, sikurse të gjitha fondet pensionale me kontribut të definuar, d.m.th. duke ngarkuar tarifa menaxhuese mbi mjetet nën menaxhim (mjetet pensionale)”, kanë thënë nga Trusti, duke shpjeguar mënyrën e financimit të këtij institucioni.
Sa i përket niveleve të tarifave, nga Trusti shtojnë se ato bëhen sipas rekomandimeve të Bordit Drejtues, pastaj të njëjtat miratohen edhe nga Kuvendi i Kosovës, duke i siguruar kështu Kuvendit një mënyrë të tërthortë të kontrollit mbi shpenzimet e FKPK-së.
Sipas Demit, FKPK-ja ashtu-kështu ngarkon tarifa menaxhuese tejet të ulëta, që e bëjnë këtë institucion njërin prej fondeve pensionale me tarifat më të ulëta në shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
Në kuadër të kësaj, ai thotë se në vitin 2020, FKPK-ja u kishte ngarkuar kontribuuesve tarifa menaxhuese prej 0.15 euro në muaj për çdo llogari për shpenzimet operacionale, dhe kjo ka qenë tarifa më e ulët për çfarëdo shërbimi të ngjashëm, publik e privat, në Kosovë.
Aktualisht në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës janë 414 mijë llogari aktive dhe rreth 750 mijë llogari të hapura prej themelimit (nga kjo e fundit duhet të zbriten llogaritë e pensionuara – rreth 62 mijë).
Sipas kalkulimeve tona, në muaj FKPK-ja pritet të gjenerojë të ardhura nga taksa operacionale 62 mijë e 100 euro. Kurse për një vit, ky institucion do t’i ketë në dispozicion gjithsej 745 mijë euro.