Ngrihet aktakuzë ndaj pesë bashkëpunëtorëve të ngushtë të Haskukës, përfshirë edhe shefen e kabinetit

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë kundër disa zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën, kanë dëmtuar monumentet historike dhe i kanë ndihmuar disa investitorëve të ndërtojnë ndërtesë në kundërshtim me lejet për ndërtim.

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se më 22 shkurt të vitit 2019, drejtori i Inspeksionit, I.Th., drejtori i Urbanizmit F.M., bashkëpuntori profesional i drejtorisë së Urbanizmit R.M., inspektori i ndërtimtarisë prandë drejtorisë për Isnpeksion E.B., dhe shefja e kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prizrenit, K.K., i kanë tejkaluar detyrat e tyre zyrtare.

“…i tejkalojnë detyrat e tyre zyrtare në atë mënyrë që në kundërshtim me “Ligjin për inspekcionin e mjedisit, ujërave, natyrës dhe planifikimit hapësinor”, “Ligjin për qendrën historike të Prizrenit”, si dhe në kundërshtim me “Ligjin për vetëqeverisje lokale”, me dije formojnë komision për vlerësimin e ndërtimit të objektit nga investitorët A.K., dhe V.K., dalin në terren, inspektojnë ndërtimin dhe shfuqizojnë urdhër ekzekutimin e Inspektoratit Komunal të ndërtimtarisë të Drejtorisë së inspektorateve të Komunës së Prizrenit të datës 03.12.2018, ndërprejnë punimet rreth rrënimit, me arsyetimin se mund të dëmtohet objekti fqinj “Teqeja Melami”, i cili objekt është i mbrojtur me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, duke i mundësuar investitorëve V.K., dhe A.K., ndërtimin e ndërtesës në kundërshtim me lejet për ndërtim, duke u lejuar atyre të bëjnë bashkimin e parcelave katastrale dhe ndërtimin e një objekti në disa parcela kadastrale, me ç’rast u kanë mundësuar përfitim investitorëve V.K., dhe A.K., në gabaritin – sipërfaqen e objekteve hoteliere, njëkohësisht kanë lejuar që këta investitor të uzurpojnë 9 m2 nga parcela katastrale e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” duke dëmtuar rëndë Qendrën Historike të Prizrenit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërkaq A.K. dhe V.B. dyshohet se kanë nxjerrur jashtë Kosovës, kanë dëmtuar apo shkatërruar monumente dhe objekte të mbrojtura

“A.K., dhe V.B., për shkak dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës” nga neni 354, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 dhe “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme nga neni 332 paragrafi 2 pika 2.1 e lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime të pandehurit e lartëcekur, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Tutje bëhet e ditur se A.K. dhe V.K. më 8 maj kanë dëmtuar monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, historik dhe fetar, gjatë hapjes së bodrumit të ndërtesave që po i ndërtonin.

“Ndërsa, të pandehurit A.K., dhe V.K., me datë 08.05.2018, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, duke vepruar si pronarë të objekteve ndërtimore afariste, dëmtojnë monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, historik dhe fetar, në atë mënyrë që derisa të njëjtit po bënin ndërtimin e objektit afarist me etazhitet B+P+1 nuk i respektojnë kushtet nga lejet e ndërtimit, dhe me këtë rast gjatë hapjes së bodrumit të ndërtesave dëmtohet konstruksioni struktural i monumentit historik, i cili është monument i trashëgimisë kulturore dhe mbrohet me ligj me numër unik 3632 në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtjen e përkohshme”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, të pandehurit ata bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës” sipas KPRK-së.

A.K. dhe V.K. nga data 8 maj e në vazhdimësi kanë uzurpuar pronën e paluajtshme e cila është evidentuar në emër të pasurisë shoqërore “Teqe Melami”.

“Po ashtu, të pandehurit A.K., dhe V.K., prej datës 08.05.2018 e në vazhdim në mënyrë të kundërligjshme kanë uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” e që konsiderohet tokë ndërtimore, me ç’ rast i kanë shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit në vlerën e 9 m2. Me këto veprime të pandehurit, kanë kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” sipas KPRK-së”, ka njoftuar Prokuroria.

Prokurori ka kërkuar që me rastin e ngritjes së aktakuzës, tyë dyshuarve të iu shqiptohet dënim plotësues për ndalimin e ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike osë në Shërbimin Publik.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, po ashtu tu shqiptohen dënimet plotësuese “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në Shërbimin publik” si dhe “Urdhri për publikimin e aktgjykimeve””, bën të ditur Prokuroria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *