Çfarë ndodhi natën e Vitit të Ri në Kosovë, ky është raporti i detajuar i policisë
Një i mitur është qëlluar nga një plumb qorr në Prishtinë, por fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime trupore pasi plumbi ia ka dëmtuar vetëm xhaketën. Një person tjetër në Podujevë është qëlluar nga një plumb bredharak teksa ishte duke qëndruar në taracën e shtëpisë, me ç’rast ka pësuar lëndime të lehta trupore. Nga plumbat qorr janë dëmtuar edhe disa vetura, ndërsa policia ka konfiskuar edhe armë zjarri.
Kosovarët sërish kanë përdorur armët për të festuar në natën e Vitit të Ri, nga plumbat qorr janë shkaktuar lëndime në njerëz e dëme materiale.
Siç njofton policia, një prind nga Prishtina ka informuar se fëmijës së tij mashkull kosovar (i mitur), nga një plumb qorr i është dëmtuar xhaketa, të cilën e kishte veshur.
Lidhur me këtë rast, “është konfiskuar predha nga njësia përkatëse. Rasti është duke u hetuar”, njofton policia me anë të raportit 24-orësh.
Në Podujevë, viktima mashkull kosovar ka njoftuar se gjersa ka qenë në taracën e shtëpisë është goditur nga një plumb bredharak.
“Viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe është dërguar në tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedur të rregullt”, ka njoftuar policia.
Po ashtu në Podujevë ankuesi mashkull kosovar ka informuar se nga një plumb qorr i është dëmtuar xhami i veturës me vlerë rreth 150 euro. “Predha është konfiskuar, rasti është duke u hetuar”, tha policia.
Edhe në Prishtinë një plumb qorr ka godit një veturë duke depërtuar në brendi. Nuk raportohet për të lënduar. Forenzika në veturë ka gjet dhe konfiskuar një predhë të AK-47.
Nga një plumb tjetër bredharak ka pësuar edhe një tjetër veturë në Prishtinë.
“Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se nga një plumb bredharak i është dëmtuar vetura e tij . Predha është konfiskuar, rasti është duke u hetuar, rasti vazhdon të hetohet”, ka njoftuar policia.
Ndërsa, në Lipjan policia ka arrestuar një të mitur pasi që i njëjti ka shtënë me armë zjarri në ajër. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar katër gëzhoja të pistoletës dhe i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Gjithashtu në Lipjan, nga i dyshuari mashkull kosovar njësiti policor ka sekuestruar një pistoletë me të cilën kishte shtënë në ajër gjatë festës së Vitit të Ri, policia thotë se i njëjti kishte bërë video dhe i kishte postuar në facebook. “
Në konsultim me prokurorin i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet tutje në raportin e policisë.
Edhe në Gllogoc, nga i dyshuari mashkull kosovar njësiti policor ka sekuestruar një pushkë gjuetie me 19 fishek, dy karikatorë dhe një dylbi i asaj armë me të cilën kishte shtënë në ajër gjatë festës së Vitit të Ri.
Sipas policisë kishte bërë video dhe i kishte postuar në facebook. Në konsultim me prokurorin i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.