Mashtrimi me viza pune në Gjermani dhe Kroaci, dy burra në Prizren dyshohet se përfituan rreth 5 mijë euro për 5 muaj
H.B., dhe Z.D., (emra të njohur për redaksinë), dyshohet se përmes biznesit të tyre të quajtur “Timi & Zaimi” SH.P.K. në Prizren, kanë mashtruar të paktën 12 qytetarë kinse për pajisje me viza pune në Gjermani dhe Kroaci. Në dosjen e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, të cilën e posedon Express, theksohet se të dyshuarit kanë arritur që brenda 5 muajsh t’i përfitojnë 4 mijë e 700 euro nga qytetarët hallexhinjë që kanë synuar të gjejnë një vend pune në shtetet e cekura më lartë.
Deri në këtë fazë të hetimeve, janë të paktën 12 qytetarë që kanë rënë viktimë e Agjensisë së Punësimit “Timi & Zaimi”, nga nëntori i vitit 2020 deri në prill të vitit 2021. Mirëpo duke pas parasysh provat e grumbulluara deri në këtë fazë, “rezulton se numri i të dëmtuarve është tejet i madh, andaj Prokuroria bënë thirrje tek të gjithë qytetarët që janë pre e këtij mashtrimi që të lajmërohen në Prokurorinë Themelore të Prizrenit”.
“Prokuroria pretendon se të dyshuarit me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe për t’i shkaktuar dëm material personave tjerë i mashtrojnë apo vazhdojnë lajthimin e personave tjerë dhe me këtë i nxisin të dëmtuarit, që të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që të pandehurit me qëllim të përfitimit pasuror më datë 22.10.2020 krijojnë biznesin “Timi dhe Zaimi” SH.P.K., si agjenci punësimi, kinse për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me viza pune për Kroaci dhe Gjermani, nga të cilët kërkojnë plotësimin e dokumentacionit dhe sikundërvlerë paraprake marrin parapagime nga të dëmtuarit në shumat prej 300 deri në 500 euro. Me ç’rast secilit veç e veç i shkaktojnë dëm material ndërsa për vete në mënyrë të kundërligjshme përfitojnë dobi pasurore në vlerë të përgjithshme prëj 4.700 euro”, shkruan në dosjen e prokurorisë, transmeton Express.
Të dyshuarit janë hetuar nga muaji qershor i vitit 2021, ndërsa janë prangosur gjatë ditës së djeshme.
Dje njëri nga të pandehurit, i kërkuar me urdhërarrest është arrestuar dhe në bazë të deklaratës së tij është arrestuar edhe personi i dytë, të cilët sipas prokurorisë, janë bashkëkryerës në kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokuroria, ka lëshuar aktvendim për ndalim 48 orësh për dy të pandehurit, si dhe ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtëve.
Express mëson se sot është mbajtur seanca për caktimin e paraburgimit dhe gjatë ditës pritet që Gjykata Themelore e Prizrenit të marrë vendim për ta. /Gazeta Express/