“Nuk guxon me dalë para banesës”, i caktohet një muaj paraburgim të dyshuarit që ngacmoi ish-të dashurën
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit E.S, nën dyshimin se ngacmoi ish-të dashurën pas ndarjes, duke i shkuar para banesës e thënë “nuk guxon me dalë prej banesës, shko hiqe deklaratën që e ke dhënë në polici…”.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo gjykatë, ku thuhet se masën e paraburgimit e caktoi gjyqtarja e procedurës, Sadije Selmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij vendimi, masa e paraburgimit, të dyshuarit do t’i llogaritet prej kohës së arrestimit 7 shkurt 2022 dhe mund të zgjasë deri më 8 mars 2022.
Në njoftim thuhet se gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
“Nga data 06 shkurt deri më 07 shkurt, . në Prizren, i pandehuri E.S., vë personin tjetër – përkatësisht të dëmtuarën, nën vëzhgim në një sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme duke komunikuar me qëllim të ngacmimit dhe frikësimit, në atë mënyrë që për shkak se e dëmtuara me të pandehurin ka shkëputur lidhjen e tyre duke kërkuar nga ai që të mos e pengoj në të ardhmen, i pandehuri vazhdon të komunikoj me të njëjtën në mënyrë të drejtpërdrejt si dhe përmes telefonit duke i dërguar mesazhe elektronike, mban nën vëzhgim duke qëndruar para banesës së saj”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se pasi e dëmtuara e paraqet rastin në polici, i pandehuri shkon përsëri para banesës së të dëmtuarës duke i thënë “nuk guxon me dalë prej banesës, shko hiqe deklaratën që e ke dhënë në polici”, me ç’rast tek e dëmtuara shkakton shqetësim të madh, frikë dhe pasiguri për jetën e saj dhe të vajzës së saj me të cilën jeton.
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Ngacmimi” nga neni 182, par. 1 lidhur me par. 4 të Kodit Penal.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura penale është në fazën fillestare, me qëndrimin e të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, pasi që i njëjti në vazhdimësi e ka shqetësuar dhe frikësuar të dëmtuarën, duke marrë parasysh vendosmërinë e të pandehurit për të kryer veprën penale, është konstatim i gjykatës se caktimi i paraburgimit ndaj të pandehurit është masë e arsyeshme dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, por ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /BetimpërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.