ZRrE-ja tregon nëse energjia e shpenzuar në muajin shkurt do të faturohet me tarifa të reja të energjisë
Tarifat e reja të energjisë elektrike do të fillojnë të zbatohen nga data 9 shkurt, kur ka hyrë në fuqi vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë i cili parasheh shtrenjtimin e energjisë elektrike për një pjesë të familjeve kosovare.
Sipas vendimit të Rregullatorit, bizneset dhe konsumatorët shtëpiakë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj do të paguajnë me tarifat aktuale, pra nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike për ta.Ndërsa, konsumatorët që konsumojnë mbi 800 kilovatë do të preken nga shtrenjtimi i energjisë. Për kilovatët e shpenzuara mbi bllokun prej 800 kilovatë, pra 801 kilovatë e tutje do të paguajnë tarifën e lartë, 12.5 centë për energjinë e konsumatuar gjatë ditës dhe 5.9 centë për energjinë e konsumuar gjatë natës.
Pra, vendimi i ZRrE-së thotë që nëse një konsumator i shpenzon 1,000 kilovatë në muaj, ai për 800 kilovatë do të paguajë më tarifat e lira kurse 200 kilovatët e tjerë do t’i paguajë me tarifat e reja, më të shtrenjta.Zyra e Rregullatorit për Energji kanë thënë se vendimi për tarifa hynë në fuqi nga data 9 shkurt 2022 dhe do të jenë në fuqi deri me 31 mars 2023. Kjo zyre ka treguar se tarifat e reja së bashku me bllokë tarifën do të fillojnë të aplikohen nga data 9 shkurt.“Energjia elektrike e konsumuar para datës 9 shkurt 2022, do të kalkulohet me tarifa siç kanë qenë në fuqi para datës 9 shkurt”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së për KALLXO.com.
Pra, kilovatët e shpenzuar deri më 9 shkurt do të llogariten me tarifat e vjetra, 2.89 në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë në tarifën e lartë apo atë të ditës. Pra, nëse një qytetar ka shpenzuar 700 kilovatë nga 1 deri më 9 shkurt, ato llogariten me tarifa të vjetra, bëhet prerja, dhe nga 9 shkurti fillon numërimi i kilovatëve të shpenzuar, të cilët llogariten me tarifat e reja.Nëse një qytetar, nga data 9 shkurt e deri në ditën e faturimit ka shpenzuar më shumë se 800 kilovatë atëherë ai do të hyjë në bllok-tarifë.
Ndërsa, nëse deri me datën 9 shkurt ka shpenzuar 500 kilovatë dhe 700 të tjerë në pjesën tjetër të muajit, pra gjithsej 1,200 kilovatë, të gjithë kilovatët e shpenzuar do t’i paguajë me tarifat e vjetra, pa rritje.Edhe zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka deklaruar për KALXO.com se energjia elektrike e shpenzuar para datës 9 shkurt do të faturohet me tarifa të vjetra.“Lidhur me këtë çështje kemi kërkuar interpretim nga ZRrE, sikurse do të veprojmë komfor rregulloreve në fuqi.
Dmth ai shpenzim do të faturohet me tarifa të vjetra deri më 9 shkurt”, tha ai për KALLXO.com.Rreth 130 mijë konsumatorë do të preken nga shtrenjtimi i energjisë elektrike që do të nisë të faturohet nga nesër.KËTU mund të llogarisni se sa do të paguani rrymën e shpenzuar me tarifat e reja. Tarifat e reja kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt dhe do të vlejnë deri më 31 mars 2023.