Detaje tronditëse për rastin e ngatërrimit të kufomave: Si ndodhi zhvarrosja e varrosja në Prizren pa i njoftuar familjarët
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar paraburgim prej një muaji ndaj dy të pandehurve, M.N dhe E.R, si të dyshuar për rastin e ngatërrimit të kufomave.
Siç tregon Gjykata në njoftim, më datë 9 shkurt, E.R dhe M.N kishin shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë, për ta tërhequr kufomën e H.K dhe për t’ua dërguar familjarëve në Prizren për ceremoninë e varrimit.
Megjithatë, ata në QKUK e kanë marrë gabimisht trupin e pajetë të Z.D dhe e kanë dërguar në Prizren, ku edhe është varrosur. Pasi e kanë kuptuar se ka ndodhur gabimi, E.R dhe M.N, siç njofton Gjykata, janë kthyer në Klinikën Infektive për ta tërhequr trupin e pa jetë të H.K.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se të dyshuarit pa i njoftuar as familjarët e autoritetet kompetente, kanë paguar 300 euro disa persona, të cilët kanë bërë zhvarrosjen e trupit të pa jetë të Z.D, dhe në të njëjtin varr është varrosur më pas H.K. Pastaj trupi i pa jetë i Z.D është kthyer në Prishtinë.
Njoftimi i plotë:
Prizren, 11 shkurt 2022 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtarja e procedurës – Sadije Selmani, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.02.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 10.03.2022, ndaj të pandehurve M.N., dhe E.R., për shkak të dyshimit zë bazuar se kanë kryer veprën penale Dëmtimi i varreve apo kufomave nga neni 413 par.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:
Me datë 09 shkurt, rreth orës 13:30, me automjet kanë shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë, me qëllim që të tërheqin nga aty trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe të njëjtin t’a dërgojnë në Prizren, për ceremoninë e varrimit nga familjarët e tij.
Mirëpo, të dyshuarit E.R., dhe M.N., nga Klinika Infektive kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z.D., së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K.
Trupi i pajetë i viktimës Z.D., rreth orës 14:30, është dërguar në varrezat e qytetit në Prizren dhe ju është dorëzuar familjarëve të viktimës H.K., dhe familja e tij e kanë varrosur në varrezat e qytetit në Prizren, duke menduar se është trupi i familjarit të tyre H.K.
Më pastaj, është kuptuar se është bërë ngatërrimi i kufomave dhe se në varrezat e qytetit në Prizren, është varrosur gabimisht trupi i pajetë i viktimës Z.D.
Me të kuptuar gabimin e ndodhur, të dyshuarit E.R., dhe M.N., sërish janë kthyer në Klinikën Infektive dhe nga aty kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe e kanë dërguar në varrezat e qytetit në Prizren. Të dyshuarit e lartcekuar, rreth orës 18:00, kanë paguar 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrimin e trupit të pajetë të viktimës Z.D., dhe në të njëjtin varr, kanë varrosur viktimën H.K.
E gjithë kjo, është kryer pa prezencën e familjarëve të viktimës H.K., dhe pa njoftuar zyrtarët policor. Më pastaj, trupi i zhvarrosur viktimës Z.D., është kthyer sërish në Prishtinë.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura penale është në fazën fillestare, në rrjedhën e mëtejme të procedurës hetimore do të mblidhen edhe prova tjera me qëllim zbardhjen e kësaj çështje penale, andaj është konstatim i Gjykatës se nëse të pandehurit lihen në liri mund të asgjësojnë apo fshehin provat materiale, si dhe të ndikojnë në dëshmi të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve.
Gjithashtu, Gjykata ka marrë parasysh edhe peshën dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, me veprimet e tyre të pandehurit kanë cenuar rëndë ndjenjat e familjarëve të të ndjerëve, si dhe duke marrë parasysh vendosmërinë e të pandehurve për të kryer veprën penale, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.