Muhamed Shukriu ndër emrat që la gjurmë të pashlyeshme në fushën e trashëgimisë kulturore në regjionin e Prizrenit
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, ndër personalitetet të cilët me krenari i përkujton është i ndjeri Muhamed Shukriu me rastin e 12 vjetorit të ndarjes nga jeta.
Ky Institucion nga koha e themelimit kishte vështirësitë e veta por megjithatë kishte vepruar në kontinuitet të plotë, meçërast vazhdueshëm është marrë me evidentimin, mbrojtjen, ruajtjen, studimin, valorizimin, konservimin, restaurimin, prezantimin, publikimin e trashëgimisë kulturore konform normave dhe konventave botërore. Andaj nuk duhet harruar në asnjë moment shumë prej punëtorëve të zellshëm të cilët për dekada të tëra dhanë përkushtimin e tyre në këtë fushë.
Muhamed Shukriu ishte themelues dhe drejtor i këtij institucioni siç quhej aso kohe Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore dhe të Natyrës – Prizren 1967-1981. Gjatë kohës sa e udhëhoqi këtë inistucion ishte ideator dhe realizues i një sërë ndërmarrjeve me interes kombëtar, siç janë: Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Muzeu i Elektro-Ekonomisë së Kosovës, Muzeu Arkeologjik, Hamami i Gazi Mehmed Pashës, Xhamia e Sinan Pashës, Shtëpia e Musa-Efendi Shehzades, Kapela e Shtjefën Gjeçovit në Zym të Hasit e shumë projekte të tjera të cilat edhe sot i rezistojnë kohës.
Në vitin 2017 iu nda post mortem mirënjohja për veprimtari në fushën e trashëgimisë kulturore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me rastin e shënimit të 50 Vjetorit të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren. Po këtë vit me emrin “Muhamed Shukriu” u vendos çmimi vjetor për menaxhimin e trashëgimisë kulturore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
I ndjeri Muhamed Shukriu mbetet një ndër emrat që la gjurmë të pashlyeshme në fushën e trashëgimisë kulturore në regjionin e Prizrenit dhe më gjerë.
QRTK Prizren 2022