Mësohet orari i ndeshjeve të Kosovës në Ligën e Kombeve, përballja e parë në qershor

Përfaqësuesja e Kosovës do ta nis edicionin 2022/23 të Ligës së Kombeve në udhëtim, te Estonia apo Qipro, varësisht se cila prej këtyre përfaqësueseve do ta fitojë ndeshjen e “Play-Out” për të luajtur në Ligën C, ndërsa tashmë janë mësuar edhe datat e ndeshjeve ndaj Greqisë dhe Irlandës së Veriut.

Dje (e enjte) është hedhur shorti në Nyon të Zvicrës për të mësuar grupet e Ligës së Kombeve dhe Kosova mësoi kundërshtarët e saj.

Kosova është pjesë e Grupit C2 së bashku me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe njërën mes Qipros dhe Estonisë që do të luajnë dy ndeshje të “Play-Out” për të përcaktuar se cila do të mbetet në Grupin C.

Pas shortit, tashmë është mësuar edhe orari i ndeshjeve të Dardanëve dhe ndeshja e parë e Përfaqësueses sonë do të zhvillohet pikërisht ndaj fituesit të ndeshjes mes Qipros dhe Estonisë, shkruan Telegrafi.

Ndeshja e parë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve për Kosovën do të zhvillohet në udhëtim më datën 2 qershor, ndërsa më 5 qershor luan në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ndaj Greqisë.

Orari i ndeshjeve

Në muajin qershor, Dardanët do t’i luajnë edhe dy ndeshje tjera, ku fillimisht e presin Irlandën e Veriut më 9 qershor, ndërsa tri ditë më vonë apo më 12 qershor do të përballen në udhëtim me Greqinë.

Dy ndeshjet e fundit të grupit, Kosova i luan në muajin shtator, ku më 24 shtator luan në udhëtim te Irlanda e Veriut dhe më 27 shtator në shtëpi ndaj Qipros apo Estonisë.

Fituesi i këtij grupi do të promovohet në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe gjasat e Kosovës janë reale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *