Në dy muajt e parë të këtij viti, 706 kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia
Në dy muajt e parë të këtij viti 706 kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia.
Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se arsyeja e lirimit nga nënshtetësia, në të shumtën e rasteve ka të bëjë me atë se shumë shtete evropiane nuk lejojnë dyshtetësinë për shtetasit që nuk janë pjesë e BE. Sipas MPB-së, për nëntë vite, nga shtetësia janë liruar 46 mijë e 839 persona, e që është më shumë se sa totali i banorëve të pesë komunave të Kosovës.
4 mijë e 940 ishte numri i qytetarëve që hoqën dorë nga shtetësia kosovare gjatë vitit 2021. Krahasuar me një vit më parë ky numër ishte më i madh për 1 mijë e 307 persona. Ndërkohë, sipas të dhënave për muajin janar dhe shkurt, mesatarisht nga shtetësia kosovare janë liruar rreth 12 kosovarë në ditë.
Behar Haziraj, zyrtar i lartë për media në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës, në një prononcim për Radio Kosovën, tregon numrin e atyre që për arsye të ndryshme hoqën dorë nga shtetësia.
“Për sa i përket heqjes dorë të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga shtetësia, në bazë të Ligjit për Shtetësi, gjatë periudhës janar – shkurt 2022, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 706 persona, prej tyre 341 meshkuj dhe 365 femra”, tha ai.
Haziraj tregon se arsyeja kryesore që shtyn kosovarët të heqin dorë nga shtetësia është ndalimi i dy shtetësisë në shumë vende ku jetojnë ata.
“Arsyet pse këta persona heqin dorë nga shtetësia e Republikë së Kosovës, është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dy shtetësinë, përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e BE-së. Kështu, duke pasur parasysh që një numër i madh i shtetasve tanë jetojnë tashmë me vite në këto shtete dhe si rezultat i saj kanë fituar të drejtën e Fitimit të Shtetësisë, janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi. Pra, arsyeja kryesore është ndalimi dy shtetësisë në shumë vende”, pohoi Haziraj.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që nga 2013-ta, për nëntë vite, nga shtetësia kosovare janë liruar 46 mijë e 839 persona. Nëse merret për bazë regjistrimi i popullsisë i vitit 2011, ky numër është për 1 mijë e 903 më i vogël se totali i popullësisë së pesë komunave të Kosovës: Shtimea, Hanit të Elezit, Kllokotit, Parteshit dhe Ranillugt.