U PËRKUJTUA 23 VJETORI I BETEJËS SË KABASHIT
Të enjten me homazhe para lapidarit në Korishë dhe varrezave të dëshmorëve në Landovicë, është përkujtuar 23 vjetori i betejës së Kabashit.
Pjesë e shënimit të kësaj ngjarje të luftës së lavdishme të UÇK-së, përveç veteranëve dhe invalidëve të luftës, familjarëve të dëshmorëve, nxënësve dhe banorëve të Korishës, ishin edhe përfaqësues të pushtetit lokal të Prizrenit.
Pjesëmarrësi i betejës, Sahit Rexha, kujton kohën kur forcat serbe nisen ofensivën e tyre, të ciles i rezistuan fuqishëm dy kompani të UÇK-së , të mbështetura nga popullata, ndërsa në altarin e lirisë ranë tre dëshmorë.
Ish komandanti i brigadës 125 të ZOP-it, Nehat Basha, tregon se në ditën e kësaj beteje, në Pagarushë , po bëhej rivarrimi i dëshmorëve të rënë në betejën e 11 marsit të vitit 1999 në Jeshkovë.
Ndërkaq, kryesuesja e Kuvendit të Prizrenit, Antigona Bytyçi, tha se gjithmonë duhet të kujtojmë ngjarjet e lavdishme të UÇK-së, duke i nderuar ata që u flijuan për lirinë e Kosovës.
Në betejën e lavdishme të Kabashit të 17 marsit të vitit 1999 ranë heroikisht në krye të dëtyrës tre dëshmorët nga Korisha, Halim Ahmetaj, Rexhep Kukaj dhe Murat Kabashi./ Tv Prizreni