Arrestohet në flagrancë oficeri korrektues i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, për marrje ryshfeti

Prokuroria Themelore në Prizren në një komunikatë për media ka njoftuar se  Departamenti i Krimeve të Rënda, pas një hetimi disa mujor në koordinim me Drejtorinë e Hetimit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion – DPP në Prishtinë, duke aplikuar masat e fshehta të vëzhgimit dhe hetimit, ka arritur të arrestojë në flagrancë personin me inicialet B.R., në cilësi të oficerit korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Marrje e ryshfetit” nga neni 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I pandehuri B.R., dyshohet se ka mundësuar futjen e disa gjërave të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren për një person të paraburgosur.

Me aktvendim të prokurorit, i pandehuri është ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para ​drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, thuhet në njoftim nga Prokuroria e Prizrenit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *