A duhet të vaksinohen ata që kanë kaluar Covid-19? Flet mjeku i njohur
Administrata amerikane për Ushqimin dhe Medikamentet, pas një analize të detajuar arriti në përfundimin se vaksina kundër COVID-19 që po mendohet të shpërndahet, është në përputhje me kriteret e paracaktuara.
Ky lajm ka ndezura shpresën tek qytetarët, të cilët presin të marrin vaksinën për t’i dhënë fund pandemisë, e cila vijon prej muajit mars të marrë jetë njerëzish në gjithë botën.
Drejtori i Zhvillimit të Vaksinave në Kompaninë “GEOVAX”, Arban Domi tha në Euronews Albania se lajmi për vaksinën është shumë i rëndësishëm, dhe ky është një hap, të cilin qytetarët e prisnin prej kohësh.
“Është etapë shumë e rëndësishme dhe pritet prej kohësh. Detajet nuk janë përcaktuar të paktën për publikun. Shpërndarja pas zyrtarizmit do të fillojë brenda 24 orësh, duke filluar nga moshat më të vjetra, mjekët dhe infermierët”, tha ai.
I pyetur nëse realisht ka ardhur koha, që të merret frymë lirisht kundër pandemisë pas daljes së vaksinave, doktor Domi dha këtë mëndim:
“Do të them po edhe jo. Ana pozitive është se të paktën për momentin vaksina duke e sigurt dhe efikase. Do të duhen muaj të tërë për të vaksinuar një numër të madh të popullsisë dhe minimumi në Amerikë do të duhet mesi i vitit tjetër”, shtoi ai.
Ai tha se karrantinimi apo mbyllja në shtëpi nuk është një strategji e mirë dhe kjo duhet të shmanget.
“Për sa i përket numrave në Amerikë numrat janë rritur. Numrat nuk kanë rëndësi shumë të madhe për sa kohë sistemi spitalor e përballon situatën. Sa i takon mbylljes, personalisht nuk janë shumë i favorshëm për mbylljen për aq kohë sa nuk ka një qëllim të caktuar për se po mbyllemi, sepse mbyllja nuk eliminon virusin, siç e ka vërtetuar edhe eksperienca e muajve të fundit, por vetëm e shtynë në kohë. Virusi nuk mund të eliminohet përmes mbylljes”, tha ai.
GjithashtuDomi nënvizoi se edhe nëse aplikohet izolimi, ai duhet të bëhet për personat më moshë madhore dhe ato me sëmundje ekzistuese.
“Për mendimin tim. Duhet të izolohen personat në moshë të vjetër dhe personat me sëmundje ekzistuese. Sa i përket mbylljes gjatë natës është relative, sepse varet me shtete, por edhe me kulturën. Duke njohur kulturën shqiptare, po bëhet për moshat e reja, edhe nëse mbyllen lokalet gjatë natës ato do të rrinë nëpër kafe gjatë ditës. Organizimi sa më i plotë i spitaleve rajonal, sepse 2% e personave të infektuar kanë nevojë për kurim special”, tha ai.
Sa i takon festimeve për festat e fundvitit, mjeku Domi tha se në Amerikë rekomandohen kryesisht të zgjidhen grupe të vogla brenda familjes.
“Rekomandohet në grupe të vogla brenda familjes, por parimi im është që shtetet dhe qeveritë duhet t’u tregojnë njerëzve të mirat dhe të këqijat, dhe ta dinë informacionin e duhur. Gjithsecili e di rrezikun dhe kush është më e rëndësishme për jetën e tij”, theksoi ai.
Në fund Domi tha se ata që e kanë kaluar Covid-in, nuk është e nevojshme të bëjnë vaksinën të paktën për një periudhë prej nëntë muajsh.
“Ai që e ka kaluar covidin, të paktën për 6-9 muajt e ardhshëm nuk është e nevojshme të bëj vaksinën. Një sugjerim që bëra para disa ditësh, shumë teste, sidomos testet e shpejta, të ketë një stok për të testuar çdo individ që duhet të marrë vaksinën, nëse testi del pozitiv, nuk duhet ta marrë vaksinën, por vaksina duhet të shpërndahet për dikë tjetër”, tha ai.