Aksion i Antidrogës në zonën e Marashit në Prizrenit: 26-vjeçari kapet me marihuanë, ia bastisin banesën
Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Një rast i tillë është zbuluar në Prizren, ku një njësi policore e Antidrogës që po patrullonte në zonën e Marashit ka ndalur për kontroll një person, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, bëhet fjalë për një 26-vjeçar, i cili ishte duke lëvizur me veturë, kur u kap nga Policia dhe iu gjet drogë.
Bazuar në informacionet e para, në veturën e tij janë gjetur disa qese me substanca narkotike të llojit marihaunë, para të gatshme mbi 1 mijë euro, si dhe dëshmi të tjera, që janë sekuestruar si prova materiale.
Nga aty, Policia ka kryer bastisje edhe në dy lokacione të tjera, njëra banesa e personit të dyshuar, ku janë gjetur edhe rreth 10 qese me drogë.
Pas përfundimit të aksionit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetimi në drejtim të veprës penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.