Aktakuzë ndaj shtetasit të Shqipërisë që iu gjet afër 1 kg kokainë në veturë
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.H. (shtetas i Shqipërisë) pasi të njëjtit i ishte gjetur dhe sekuestruar afro 1 kg kokainë poshtë ulëses së veturës.
Sipas aktakuzës, me datë 08.03.2022, rreth orës 13:15, gjatë kontrollit të automjetit të të pandehurit në pikën kufitare të Vërmicës nën ulësen e tij është gjetur një qese plastike e tejdukshme e mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë prej 736.20 gram, e cila edhe është sekuestruar nga ana e zyrtarëve policorë.
I pandehuri gjendet në paraburgim nga data 08.03.2022 për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.