Akuzohej se ia ofroi 5 euro ryshfet policit kufitar në Vërmicë, dënohet me 6 muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë
Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Klodian Durollari, duke e dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë për akuzën se ia ofroi 5 euro ryshfet policit kufitar në pikën kufitare në Vërmicë.
Shpallja e aktgjykimit u bë të martën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Skender Çoçaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Durollari i është konfiskuar edhe monedha në shumën prej 5 euro.
Gjithashtu, i akuzuari obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 20 euro, si dhe shumën prej 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.
Paraprakisht, i akuzuari Durollari fillimisht në këtë seancë ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohej.
“E pranoj që jam fajtor”, tha i akuzuari.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, më 19 qershor 2022, i akuzuari Klodian Durollari më 19 qershor 2022, akuzohet se në vendkalimin kufitar të Vërmicës, në mënyrë të tërthortë i ofron përfitim personit zyrtar- policit kufitar, në mënyrë që ai të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.
Bazuar në aktakuzë, i akuzuari me automjetin e tij e tipit “Audi A4” , për t’i krijuar lehtësirë vetes pasi i kishte skaduar afati i pasaportës më 9 mars 2022, i prezanton dokumentet e kërkuara nga ana e personit zyrtar Shaqir Kryeziu, ku në mes të pasaportës së tij kishte vendosur 5 euro ryshfet për policinë kufitare.
Sipas aktakuzës, në pyetjen e zyrtarit policor se për kë ka vendosur këto të holla në pasaportën e tij, i akuzuari është përgjigjur se të hollat i ka lënë për zyrtarët policorë për një kafe.
Me këto veprime, Durollari akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, paragraf 1 të Kodit Penal vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në 5 vjet. /BetimipërDrejtësi