Arrestohen dy të mitur te Kalaja e Prizrenit, njëri u kap duke përdorur drogën “speed” që e bleu

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar edhe të dielën pas mesnate te Kalaja e Prizrenit, teksa Policia po kryente kontrolle në kuadër të planit për festivalin ‘Ngom Fest”, që u mbajt atje.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy persona, të mitur, njëri prej të cilëve dyshohet se ia ka shitur një sasi të substancës ‘speed’ të dyshuarit tjetër, i cili u kap në flagrancë duke konsumuar drogën.

Pas përfundimit të kontrollit policor, qeset me speed dhe marihuanë janë sekuestruar, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj 17-vjeçarit për shitblerje të drogës, ndërsa ndaj të dyshuarit tjetër për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *