Arrestohet një person në Vërmicë, i ofroi policit 50 euro ryshfet
Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Vërmicë për dhënie të ryshfetit.
Nga policia është bërë e ditur se i dyshuari ua kishte futur 50 euro në dokumentet që ua kishte prezantuar.
“Më, 19.12.2020 rreth orës 05:45, në Pikën e Kalimit Kufitar (PKK)-Hyrje nga Republika e Shqipërisë për në Republikën e Kosovës, në Vërmicë, ka ardhur: R.T., mashkull, shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili në dokumente që ua prezanton policisë kufitare, kishte futur 50 (pesëdhjetë) euro. Zyrtari policor kërkon të dijë pse janë këto të holla në dokumente dhe i dyshuari kërkon të mos i regjistrohet në hyrje prindi i tij D.T., kurse parat janë ‘për nga një kafe’. Gjatë kontrollit në sistem, policia vëren se D.T., kishte ndalesë hyrje për pesë vite në Republikën e Kosovës”, është bërë e ditur nga policia.
Sipas policisë, i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor PKK Vërmicë, është njoftuar prokurori kujdestar dhe në konsultim me të është iniciuar rasti ‘dhënia e ryshfetit’.
Rasti është proceduar në procedurë të rregullt, kurse pasaporta dhe kartëmonedha prej 50 euro, janë konfiskuar. I dyshuari është urdhëruar që më, 21.12.2020, të paraqitet në Prokurorinë e Prizrenit.