Avokati i Popullit do të hartojë raport se ku kanë dështuar institucionet për zbardhjen e krimeve te luftës
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se ka vendosur të hap një hulumtim zyrtar për të parë se ku kanë dështuar institucionet vendore për zbardhjen e krimeve te luftës dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat.
Tutje , Qelaj tha se në javët në vazhdim do të formohet komisioni për hulumtimin apo hetimin për masat që i kanë ndërmarr institucionet në raport me qasjen në drejtësi për viktimat dhe sa kanë arrit t’i vendosin para drejtësisë ata që kanë kryer krime.
Avokati i Popullit thotë se mos zbardhja e këtyre rasteve është cenim i të drejtave të njeriut.
“Unë kam dalë me një deklaratë publike ku kam deklaruar se institucionet e shtetit kanë dështuar me i ofrua drejtësi viktimave të krimeve të luftës e në anën tjetër kanë dështua edhe me i qitë para drejtësisë personat që i kanë kryer këto krime e masakra. Për të ardhur deri tek një konstatim i tillë dhe me transmetua tek publiku ku ka ndikua disa rrethana që ndodhën kohëve të fundit, me të cilat isha i përfshirë edhe vet në cilësinë e Avokatit të Popullit. Fillimisht në një takim që kemi pasur në Komisionin për të drejtat e njeriut në Parlamentin e Kosovës janë dëgjuar përfaqësuesit e familjeve që kanë pësuar nga krimet e luftës në fshatin Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël në këtë takim çështjet që u ngritën nga familjarët vërtetë ishin të ndjeshme sepse ata kërkonin një drejtë të garantuar me pasë drejtësi për familjarët e tyre të vrarë dhe të zhdukur”, u shpreh ai.
“Pastaj u ngrit si kërkesë e tyre që shteti të garantojë mbrojtje, të garantoj mbështetje në proceset gjyqësore dhe për me bë më shumë në zbardhjen e këtyre rasteve. Pastaj kisha dhe një vizitë në bibliotekën e qytetit në Prishtinë “Hyvzi Sylejmani”, ku unë arrita me i pa një ekspozitë ku ishin të ekspozuar gjësendet dhe rrobat e fëmijëve të vrarë në luftë bashkë me listën e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur. Ishte trokitje në ndërgjegjen time dhe padyshim isha i obliguar të dal me një qëndrim të tillë dhe me konstatua që shteti ka dështua me i përmbush detyrimet e veta. Kjo është e lidhur me atë se çka ka ndodhë brenda 20 viteve të fundit, gjithmonë duke u thirr në mungesë të kompetencave, pastaj në arsye të tjera por s’ka ekzistuar një vullnet i plotë politik që kësaj pune me i shku deri në fund. Në këtë drejtim unë mendoj se me mos veprim janë cenuar të drejtat njerëzore”, tha ai për Ekonomia Online.
Avokati i Popullit thotë se ky hulumtim do të fokusohet për të parë se sa janë krijuar mekanizma institucional për zbardhjen e së vërtetës
“Unë kam vendos me hap një hulumtim zyrtarisht, ku pjesë e këtij hetimi do të jetë përfshirja e të gjitha aspekteve që ndërlidhet me të drejtat e njeriut, padyshim periudha kohore në të cilën do të bëhet ky hetim do të jetë para dhe pas luftës, për me pa se sa kemi arrit me vendos drejtësinë në vend, sa kemi arrit me i dhanë qasje në drejtësi viktimave dhe familjarëve të tyre. Sa kemi arritur si shtet me krijua mekanizma të sigurt për të ardhur deri tek e vërteta, unë e di që ka angazhim shtesë kohëve të fundit sidomos nga Prokuroria, mirëpo trajtimi dhe qasja që i jepet institucionalisht viktimave nuk është ajo e duhura, këta po e lidhi edhe me një fakt tjetër në takimin të cilin e përmenda në Komisionin Parlamentar për të drejtat e njeriut në Kuvendin e Kosovës arrita me kuptua që si palë dëmtuar në procedurë ka qenë vetëm një person ndërsa po ashtu të dëmtuar kanë qenë familje të tëra dhe shumë familjarë tjerë. Do të thotë institucionet e drejtësisë nuk kanë arrit me i përfshi në proces dhe me u dhanë qasje e duhur”, tha ai.
Sipas Qelaj ky hulumtim do të zgjasë për një kohë të pacaktuar, pasi për të arritur me rekomandime të qarta për institucionet e vendit, duhet shumë punë dhe angazhim.
“Unë mendoj se duhet shumë punë dhe angazhim, periudha që mund kryhet ky raport mund të jetë e gjatë nuk pres me qenë periudhë e shkurtë, pasi veç ka kalua një periudhë e gjatë prej kur janë kryer këto krime. Padyshim një ndihmesë të madhe pres nga shoqëria civile sepse nuk do ta bëjë vet por në koordinim me shoqërinë civile dhe institucionet tjera që janë të gatshme me më ndihmua në këtë proces. Fillimisht do të vendosim bashkërisht me te gjithë akterë që do të jenë pjesë e këtij grupit punues që të vijmë deri në këtë raport edhe për metodologjinë, unë besoj që shoqëria civile dhe organizata të ndryshme kanë bërë punë të mirë në mbledhjen e informacioneve dhe të dhëna por krejt nismat e tyre kanë mbetur në nivel të raporteve që kanë mundur me i adresua por nuk kanë gjet zbatim. Pastaj dhe të dhënat që i kanë institucionet besoj që janë bazë e mjaftueshme me kuptua ku ka qenë pengesa dhe pse nuk ka ardhur deri te trajtimi i duhur i këtyre raste. Në anën tjetër unë mendoj që përveç që ka arrit me i sistemua krejt të dhënat e duhura në raport me atë se çka ka ndodhë dhe cilat janë pasojat e këtyre veprimeve kriminale që kane ndodhë gjatë luftës ka me arrit me adresua edhe rekomandime të qarta edhe për institucionet e vendit sesi tash e tutje duhet me iu qas kësaj teme që një herë e përgjithmonë me zbardh të vërtetën”, u shpreh ai.
Shumë nisma kanë filluar nga institucionet e vendit për të ndihmuar në vendosjen e drejtësisë për krimet e luftës, por kanë përfunduar pa rezultatet konkrete. Prandaj, Qelaj thotë se është e rëndësishme që të prodhohet një raport për të treguar situatën reale të këtij procesi.
“Në këtë drejtim duhet ta sqaroj se nuk bëhet fjalë për hetim të asaj çka ka ndodhë tek rastet konkrete pasi në këtë pjesë është mandat i prokurorisë dhe i organeve të hetuesisë, krejt ata që do ta evidentoj në raportin tim është masat që i kanë ndërmarr shteti dhe organet e drejtësisë në raport me qasjen në drejtësi për viktimat dhe sa ka arrit me i vendos para drejtësisë ata që i kanë kryer këto krime. Aspekti kohor në këtë drejtim është i rëndësishëm, megjithatë vëllimi i madh i temave dhe informacioni i madh që duhet me u grumbullua, për me ardhur deri në raport që pastaj me u konsiderua si bazë mbështetëse për me dal me raporte konkrete për institucionet kërkon kohë më të gjatë. Unë konsideroj se e rëndësishme është çfarë do të prodhoj raporti dhe jo sa do të zgjasë… Të gjitha nismat që kanë fillua deri më tash nga institucionet kanë mbetur vetëm në stadin e krijimit të institucioneve por pa dal me një rezultat final ose pa dal me produktin që kërkohet. Është ë rëndësishme më dal më një raport dhe me rekomandime të sakta”, u shpreh ai.
Tutje, Avokati i Popullit beson që për këtë iniciativë ndihmesë e madhe është bashkëpunimi ndërinstitucional, gjë që sipas tij deri më tani ka qenë konstruktiv dhe funksional.
Po ashtu, Qelaj thekson se është duke punuar në digjitalizimin e të dhënave, që do t’ua lehtësoj punën në hulumtim.
“Realisht në raport me institucionin e Avokatit të Popullit është krijua një traditë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe unë nuk besoj që kemi me pasë ndonjë problem, e rëndësishme është më vazhdu atë bashkëpunim që qasjen në informata dhe përgjigjet në kërkesat që ne i kemi me qenë brenda afateve ligjore, gjë që deri më tash ka funksionuar mund të themi mirë është gjendje e kënaqshme. Në anën tjetër besoj që ndihma ma e madhe që munden me dhanë institucionet e vendit është, komisioni që do të formohet këtyre javëve për këtë hulumtim ose këtë hetim kish me qenë nëse të gjithë institucionet në kuadër të mandatit të tyre na ofrojnë shënime të plota, pasi jo çdo herë këto shënime janë të ruajtura dhe të plota, kjo paraqet një vështirësi në vlerësimin tonë ne faktet që ne kemi kërkua me i vërtetua, po besoj që duhet të krijohet një traditë dhe kulturë më e mirë e mbajtjes të dhënave, gjë që vërehet te institucionet si mangësi, po besoj që jemi në fazën e konsolidimit të krejt sistemi të tillë”, thotë ai.
“Digjitalizimin jam duke e provuar të bëjë edhe në vet institucionit që këtë rast e udhëheq përveç sistemimit dhe grumbullimit të dhënave në një data bazë të vetëm jam duke provua me krijua një sistem të digjitalizimit të gjitha sferave”, përfundoi Qelaj.