Bankat në hall nga paratë false, zbulohen edhe dy raste në Prizren dhe Deçan

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar janë ato prej 50 dhe 100 euro. Tmerri i vërtetë është edhe nga 2 eurot false, të cilat po qarkullojnë me të madhe në treg tash e një kohë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se gjatë ditës së djeshme janë zbuluar edhe dy raste në Prizren dhe Deçan.

Një zyrtar i bankës ‘TEB’ në Prizren ka njoftuar se në një bankomat janë detektuar rreth 400 euro false, të gjitha në monedhën 2 euroshe.

Po ashtu, edhe në pikën e Bankës Ekonomike në Deçan, zyrtari i bankës ka njoftuar se një klient ka dashur të deponojë 500 euro, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Në të dyja rastet e mësipërme, paratë janë konfiskuar për ekzaminimet e nevojshme, ndërsa me urdhër të prokurorit kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Falsifikimi i parasë’.

Kujtojmë se kualiteti i parave false është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.

Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *