Bastisen tetë lokacione, arrestohen katër persona për fajde
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, pas një pune hetimore gjashtë (6) mujore, me urdhër të saj dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës –Sektorin e Hetimeve Rajonale në Prizren, të mbështetur edhe nga njësitë dhe stacionet tjera policore në Prizren dhe Prishtinë, ka ndaluar 4 (katër) persona nën dyshimin për kryerje të veprës penale “Fajdeja” nga neni 331 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Aksioni është zhvilluar në tri lokacione të ndryshme, ku të pandehurit gjatë aplikimit të masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit, janë arrestuar në flagrancë.
Janë bastisur 8 (tetë) lokacione dhe janë sekuestruar para, vetura, armë, telefona, laptop, kompjuterë, kontrata, regjistra të ndryshme dhe marrëveshje të nënshkruara mes të pandehurve dhe viktimave.
Të njëjtit duke vepruar veç e veç, dyshohet se kanë vepruar me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete duke kontraktuar shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), viktimave të fajdesë nga të cilët shfrytëzojnë gjendjen e rënduar financiare, papërvojën e tyre dhe të njëjtëve u ofrojnë shuma të të hollave në formë të borxhit të cilët më pas i ngarkojnë me kamata të larta dhe të pa përballueshme.
Me aktvendim të prokurorit, të pandehurit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtëve.
Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.