Besnik Berisha me prejardhje nga Kosova, garon në zgjedhjet lokale të Luganos
Historia e shqiptarëve të suksesshëm në Evropë sa vjen e rritet çdo ditë. Zvicra është shembulli më i mirë i integrimit të shqiptarëve nga Kosova dhe avancimit në shumë fusha.
Së fundi, gjithnjë e më shumë të rinj të edukuar e shkolluar mirë po bëhen pjesë e politikës, duke garuar në zgjedhjet lokale apo ato federale.
Rasti i fundit është i të riut me prejardhje nga Prizreni, Besnik Berisha i cili jeton prej kohësh në Lugano të Zvicrës. 34 vjeçari, i martuar dhe babai i dy fëmijëve të mrekullueshëm, Nina dhe Aris, ka një karrierë të bujshme profesionale duke punuar në një kompani ndërkombëtare si Menaxher IT. Përveç karrierës profesionale, Besniku është aktiv si futbollist duke garuar në futbollin rajonal të Luganos.
Në zgjedhjet e tanishme që mbahen më 14 Prill, ai është kandiduar për këshilltar komunal në Lugano për Partinë Liberale Radikale (PLR).
Në postimet në rrjetet sociale duke bërë fushatë, Besniku ka shkruar se beson te “Liria individuale, ekonomike dhe politike si qendër e misionit politik, duke garantuar të drejtat civile dhe lirinë e zgjedhjes”.
Ai premton në këto zgjedhjet se do të angazhohet për të rinjtë që t’iu sigurojë hapësirë dhe mundësi për një të ardhme më të gjallë dhe innovative duke promovuar inovacion teknologjik, ndërmarrës dhe shoqëror.
Për të gjithë shqiptarët me të drejtë vote, Besnik Berisha kandidon me Listën 3, kandidati me numër 13 për komunën e Luganos (Ticino).