Bie numri i vdekjeve nga aksidentet në Kosovë, po rritet numri i vetaksidenteve

Numri i aksidenteve me fatalitet në Kosovë ka shënuar rënie krahasuar me periudhën janar-tetor të vitit 2021, sipas statistikave të policisë.

Pavarësisht kësaj, sipas Policisë në rritje është numri i aksidenteve me lëndime ku sivjet është rritur me 3.71 për qind.

Në tryezën ku u diskutua tema “Drejtësia për aksidentet në Kosovë” u theksua si shqetësues numri i madh i aksidenteve me një veturë derisa u bë thirrje për institucionet e drejtësisë që t’i trajtojnë me prioritet lëndët që kanë të bëjnë me aksidentet rrugore.

Drejtori i divizionit të Trafikut Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi derisa ka krahasuar periudhën janar-tetor me vitin 2021, ka thënë se sivjet janë nëntë persona më pak që kanë humbur jetën në aksidente rrugore.

“Në Kosovë deri më tani jetën e kanë humbur 2816, me siguri që vet kjo ditë në vëmendje ka drejtësinë që nënkupton zbatim të ligjeve, hetim të plotë të aksidenteve qoftë ato me lëndime apo edhe me vdekje. Sa i përket krahasimit të aksidenteve periudhën janar-tetor 2021 me periudhën janar-tetor 2022 mund të themi që numri i aksidenteve me fatalitet dhe numri i personave të vdekur ka shënuar rënie, kemi nëntë persona më pak të vdekur apo 9.28%. Numri i aksidenteve me dëme ka shënuar rënie për 417 raste apo 3.73 për qind, numri i aksidenteve të përgjithshëm i aksidenteve është në rënie për 193 apo 1.10 për qind, përjashtimisht është në rritje numri i aksidenteve me lëndime për 3.71 për qind”. Të gjitha aktivitetet e Policisë së Kosovës për këtë periudhë kohore janë në rritje për 40.83% që nënkupton edhe masa ndaj kundërvajtësve në trafikun rrugor”, ka thënë Rexhepi.

Por sipas tij, shqetësuese mbesin aksidentet me një veturë ku sipas tij këto janë rastet më të shpeshta këtë vit.

Në shënimin ditës botërore të kujtimit për viktimat në trafikun rrugor, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka ftuar institucionet e drejtësisë që t’i trajtojnë me prioritet lëndët që kanë të bëjnë me aksidentet rrugore.

“Të gjitha lëndët, të gjitha rastet që kanë të bëjnë me çështjet e aksidenteve rrugore t’i trajtojnë me prioritet më të lartë, unë e di se në përgjithësi çalojmë në këtë aspekt, jo vetëm te rastet e aksidenteve të trafikut por në përgjithësi janë grumbulluar për vite të tëra shumë lëndë në gjykata dhe prokurori, po hasim në vështirësi për t’i trajtuar ato por besoj që edhe Ministria e Drejtësisë duhet ta merr shumë seriozisht që të ndikojë të institucionet e tjera të drejtësisë që këto lëndë t’i trajtojnë me prioritet sa më të madh”, ka thënë Durmishi.

Ai ka thënë se me buxhetin e vitit 2023 kanë paraparë mjete financiare për sigurinë rrugore në mënyrë që sipas tij të ketë sa më pak aksidente në trafikun rrugor.

Ai ka thënë se këtë vit kanë nënshkruar gjashtë kontrata të sinjalistikës që përfshijnë të gjithë territorin e Kosovës që sipas tij do të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e gjendjes në rrugët e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *