BQK: Deri në qershor mërgimtarët dërguan në Kosovë 635.1 milionë euro, 14 % më shumë se vjet
Banka Qendrore e Kossovës ka publikuar statistikat e Bilancit të Pagesave për muajin qershor 2023, ku figuron se vlera e remitancave deri në qershor të këtij viti ka arritur në 635.1 milionë euro.
Sipas BQK’së, kjo paraqet një rritje prej 14 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Vjet kjo shumë ishte 555.4 milionë euro.
“Remitancat janë kategoria kryesore në kuadër të të ardhurave dytësore, vlera e të cilave deri në qershor 2023 shënoi 635.1 milionë euro, që paraqet rritje prej 14% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar (555.4 milionë euro ishte deri në qershor 2022)”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e BQK’së thuhet se bilanci tregtar në mallra në kuadër të BP, deri në qershor 2023, kishte deficit në vlerë prej 2.1 miliardë euro, që është deficit më i madh tregtar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Sipas BQK’së, shërbimet deri në qershor 2023 kanë shënuar bilanc pozitiv në vlerë 553.2 milionë euro, që paraqet rritje prej 36% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022 (407.8 milionë euro).
Shpenzimet e udhëtimit të kosovarëve gjaë qershorit kanë arritur vlerën 58.9 milionë euro, prej të cilave 46 përqind janë shpenzime në Shqipëri.
“Kategoria kryesore e shërbimeve janë shërbimet e udhëtimi. Vetëm gjatë muajit qershor në Kosovë shërbimet e udhëtimit kanë arritur vlerën 141.3 milionë euro, vitin e kaluar në këtë periudhë kanë qenë 132.3 (7 % më të ulëta se këtë vit). Rreth 90% e shpenzimeve të udhëtimit në Kosovë, përkatësisht 126.6 milionë euro janë shpenzimet e diasporës. Krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar, diaspora këtë vit ka shpenzuar rreth 15% më shumë.
Kurse shpenzimet e udhëtimit të kosovarëve jashtë, gjatë muajin qershor kanë arritur vlerën 58.9 milion euro që paraqet rritje prej 18% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, prej të cilave rreth 46% janë shpenzimet në Shqipëri”, thuhet në raport.