Deklarohen të pafajshëm ish-zyrtarët e Komunës së Prizrenit, të akuzuar për korrupsion
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën ish-zyrtarët e Komunës së Prizrenit, Islam Thaqi, Krenare Koqi, Enver Bytyqi, Fatmir Memaj dhe Refki Muzbegu, të cilët po akuzohen për korrupsion si dhe Agron dhe Valbon Kastrati, të cilët po akuzohen për dëmtim dhe uzurpim të pronës së monumentit fetar “Teqe Melami”, kanë kundërshtuar aktakuzën e prokurorisë.
Pasi aktakuza është lexuar, shtatë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen sipas aktakuzës së prokurorisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht prokurorja e çështjes Ervehe Gashi deklaron se duke vepruar në bazë të urdhëresës së gjykatës nga seanca e datës 21 prill 2022, ka pajisur mbrojtësin e të akuzuarës Krenare Koqi. avokat Agron Karatash me shkresat e lëndës.
Ajo shton se me datë 23 dhjetor 2021, ia ka dorëzuar mbrojtësit të të pandehurës Krenare Koqi, avokatit Ardian Morina, avokatit paraprak të akuzuarës Koqi, të gjitha shkresat e lëndës që dispononte prokuroria.
Për këtë ajo ia jep në shiqim gjykatëses Skenderi parashtresën mbi dorëzimin e provave dhe flet-dërgesën me dorëzim personal në emër të avokatit Morina, ku vërehet edhe nënshkrimi i të njëjtit dhe data e pranimit 23 dhjetor 2021.
“Nëse avokati Morina nuk ia ka dorëzuar avokatit Karatash të gjitha shkresat e lëndës, i cili është avokat i tanishëm i të akuzuarës Koqi, do të jem e obliguar të njoftoj Odën e Avokatëve”, tha prokurorja Gashi.
Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarës Koqi, avokati Karatash ka deklaruar se me datë 16 maj 2022 është autorizuar që të jetë avokat mbrojtës i të akuzuarës Koqi dhe se me datë 17 maj 2022 ka dorëzuar parashtresën me autorizimin dhe kërkesën për pajisje me shkresat e lëndës në prokurori.
I njëjti tha se me datë 19 maj 2022 ka pranuar njoftim nga prokuroria se të gjitha shkresat e lëndës i janë dorëzuar avokatit paraprak, avokatit Morina dhe të njëjtit njoftim prokuroria ia ka bashkangjitur prova të tjera me të cilat mbështetet aktakuza, prova të cilat nuk ia kishte dorëzuar avokatit paraprak.
E për të gjitha këto e akuzuara Koqi deklaron se nuk ka kontaktuar me avokatin Morina por që sipas pohimeve të avokatit të tanishëm të saj avokatit Karatash i ka pranuar disa prej shkresave të lëndës.
Lidhur me këtë avokati Karatash tha se në bashkëpunim me avokatin Morina do të mundohet t’i siguroj të gjitha provat që ai i posedon.
Tutje gjykatësja Skenderi ka konstatuar se avokatit Morina i është dorëzuar parashtresa e prokurorisë me datë 22 dhjetor 2021, e cila përmbante dorëzimin e provave dhe kopja e flet-dërgesës, me të cilat vërtetohet se avokati Morina i ka pranuar shkresat me datë 23 dhjetor 2021.
Ndërsa në seancën e sotme mungonte mbrojtësi i të akuzuarit Refki Muzbegu, avokati Arben Shala, e pavarësisht kësaj i akuzuari Muzbegu nuk ka pasur asnjë kundërshtim me mbajtjen e kësaj seance.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet me datë 30 qershor 2022.
Ndryshe sipas aktakuzës, më 22 shkurt 2019, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, të akuzuarit duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë, Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit, Fatmir Memaj, në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm e Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit, Refki Muzbeg, në cilësi të bashkëpunëtorit Profesional të Drejtorisë për Urbanizëm e Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizreni, Enver Bytyqi., si inspektor i ndërtimtarisë pranë Drejtorisë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit dhe Krenare Koqi., në cilësi të shefes së kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prizrenit, i tejkalojnë detyrat e tyre zyrtare.
Aktakuza thotë se në kundërshtim me “Ligjin për inspekcionin e mjedisit, ujërave, natyrës dhe planifikimit hapësinor”, “Ligjin për qendrën historike të Prizrenit”, si dhe në kundërshtim me “Ligjin për vetëqeverisje lokale”, me dije formojnë komision për vlerësimin e ndërtimit të objektit nga investitorët Agron dhe Valbon Kastrati., dalin në terren, inspektojnë ndërtimin dhe shfuqizojnë urdhër-ekzekutimin e Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit të 3 dhjetorit 2018, ndërprerjen punimet rreth rrënimit, me arsyetimin se mund të dëmtohet objekti fqinj “Teqeja Melami”, i cili objekt është i mbrojtur me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, duke i mundësuar investitorëve Agron dhe Valbon Kastrati, ndërtimin e ndërtesës në kundërshtim me lejet për ndërtim.
Po ashtu, thuhet se u kanë lejuar atyre të bëjnë bashkimin e parcelave katastrale dhe ndërtimin e një objekti në disa parcela kadastrale, me ç’rast u kanë mundësuar përfitim investitorëve Agron dhe Valbon Kastrati, në gabaritin – sipërfaqen e objekteve hoteliere, njëkohësisht kanë lejuar që këta investitor të uzurpojnë 9 m2 nga parcela katastrale e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami”, duke dëmtuar rëndë Qendrën Historike të Prizrenit.
Me këto veprime të akuzuarit e lartcekur, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 2, pika 2.1 dhe 2.2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Ndërsa, të pandehurit Agron dhe Valbon Kastrati thuhet se më 8 maj 2018, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, duke vepruar si pronarë të objekteve ndërtimore afariste, dëmtojnë monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, historik dhe fetar, në atë mënyrë që derisa të njëjtit po bënin ndërtimin e objektit afarist me etazhitet B+P+1, nuk i respektojnë kushtet nga lejet e ndërtimit, dhe me këtë rast gjatë hapjes së bodrumit të ndërtesave dëmtohet konstruksioni struktural i monumentit historik, i cili është monument i trashëgimisë kulturore dhe mbrohet me ligj me numër unik 3632 në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtjen e përkohshme.
Me këto veprime, të pandehurit Agron dhe Valbon Kastrati në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”, nga neni 354, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Po ashtu, aktakuza thotë se të pandehurit Agron dhe Valbon Kastrati, prej 8 majt 2018 e në vazhdim në mënyrë të kundërligjshme kanë uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” e që konsiderohet tokë ndërtimore, me ç’ rast i kanë shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit në vlerën e 9 m2.
Me këto veprime, të pandehurit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” neni 332 paragrafi 2 pika 2.1 e lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.