Deputetja e VV-së fejon djalin dhe bën festë, shteti e gjobit restorantin
Me 200 euro është gjobitur një restorant në Ujmir të Klinës, pasi i njëjti theu masat anti-Covid të Qeverisë së Republikës.
Në këtë restorant, të shtunën është fejuar djali i deputetes së LVV-së, Drita Millaku, shkruan Indeksonline.
Kësisoj, Policia e Kosovës pas pranimit të informacioneve dhe video incizimeve se gjatë një ahengu familjar nuk janë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për parandalim të përhapjes së virusit Covid 19, ka ndërmarr masat e nevojshme duke shqiptuar gjobën sipas ligjit në fuqi për mosrespektim të masave të vendosura.
“Me qëllim të zbatimit të masave parandaluese, apelojmë tek të gjithë qytetarët dhe bizneset që të respektojnë vendimet e marra nga qeveria e vendit, me qëllim që të ruajmë shëndetin publik si dhe të pamundësohet përhapja e mëtejme e virusit. Policia po ndërmerr dhe do të vazhdojë të ndërmerr masa ndëshkuese ndaj shkelësve të ligjit anti-COVID-19”, thuhet në sqarimin e PK-së.
Vendimi aktual i Qeverisë së Kosovës kundër përhapjes së koronavirusit ndalon mbajtjen e ahengjeve, masë kjo në fuqi edhe kur u fejua djali i Drita Millakut.
Express ka kontaktuar deputeten Millaku të dielen në telefon për thyerjen e masave kundër përhapjes së koronavirusit me rastin e organizimit të ahengut për fejesën e djalit, por e njëjta ka mohuar se djali i saj është fejuar.
Por fotografitë dhe pamjet e publikuara në rrjete sociale kanë dëshmuar se djali i saj u fejua ditën e shtunë.