Deri në 600 mijë armë në duart e qytetarëve të Kosovës
Në Kosovë vazhdojnë të shënohen plagosje, vrasje e krime të rënda të natyrave të ndryshme.
E, për njohësit e çështjeve të sigurisë në Kosovë, arsyeja kryesore për këtë fenomen janë armët ilegale që janë në duart e qytetarëve. Ndërsa, Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon rreth 1,500 armë pa leje të llojeve të ndryshme.
Fadil Kajtazi në një prononcim për Telegrafin tha se bazuar në shifrat e publikuara nga organizata vendore dhe ndërkombëtare në duart e qytetarëve ndodhen nga 400 deri në 600 mijë armë, e të cilat sipas tij përbëjnë një shqetësim.
Sipas tij, është momenti i fundit që qytetarët e Kosovës të përballen me këtë problem.
Dy ditë më parë u bë hapja e kampanjës “Çdo plumb ka një shënjestër – Festo me zemër, jo me armë”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe UNDP.