Dhunë ndaj bashkëshortes, Gjykata Themelore në Prizren cakton masë paraburgimi ndaj të pandehurit

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masë paraburgimi ndaj një të pandehuri si pasojë e dhunës fizike që ka ushtruar ndaj bashkëshortes së tij.

Me urdhër të Prokurorisë Themelore të pandehurit i është caktuar masë paraburgimi.

Komunikata e plotë:

Caktohet masa e paraburgimit ndaj një (1) të pandehuri, për veprat penale
lëndimi i lehtë trupor dhe shkelja e urdhrave mbrojtës.

Prizren, 05 mars 2021 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit F.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: lëndimi i lehtë trupor, nga neni 185 par. 3 nën par. 3.1. lidhur me par. 1 të Kodit Penal dhe shkelja e urdhrave mbrojtës, nga neni 25 par. 1 dhe 2 të Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit F.B., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:Ditën kritike, (01 mars) në shtëpinë e përbashkët familjare, i pandehuri F.B., të dëmtuarën – bashkëshorten e tij, fillimisht e ofendon me fjalë, e më pas edhe e sulmon fizikisht duke e goditur me grushte në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, e kap për flokë dhe e godet me shkelëm në këmbë, me të cilat veprime të dëmtuarës i shkakton lëndime të lehta trupore,Po ashtu, nga provat dhe faktet e lartcekura rezulton se në datë të njëjtë, i pandehuri F.B., me qëllim e shkel në tërësi urdhrin për mbrojtje të lëshuar nga të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, sipas të cilit urdhër të pandehurit është ndaluar që palën e mbrojtur, të dëmtuarën – bashkëshorten e tij, që mos ta shqetësoj, ofendoj, përul, godas, kërcënoj dhe sulmoj fizikisht, mirëpo i pandehuri shkel urdhrin e tillë të përshkruar me veprimet si më lartë,Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.Gjyqtari i procedurës – Luan Berisha kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 01.03.2021 deri me datën 01.04.2021.


Gjyqtari i procedurës vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh se hetimet janë në fazën fillestare, si dhe faktin se i pandehuri ka shkelur urdhrin mbrojtës të Gjykatës, si dhe duke marrë parasysh rrethanat ku i pandehuri në mënyrë të vazhdueshme ka keqtrajtuar në aspektin psikik të dëmtuarën – bashkëshorten e tij, e ka fyer dhe e ka sulmuar fizikisht, pasi që në këtë rast dhe se ka edhe raste të tjera të mëparshme të dhunës në familje.


Prandaj, nga ajo që u paraqit më lartë, shihet se qëndrimi i të pandehurit në masën e paraburgimit është mëse i arsyeshëm dhe i domosdoshëm në këtë fazë të procedurës penale, për zbatimin me sukses dhe efektiv të procedurës penale.


Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *