Drejtoresha e Haskukës ishte larguar nga puna për perfomancë të dobët (DOKUMENT)
Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka po hyn në vitin e fundit të mandatit të tij si kryetar i Komunës së dytë më të madhe në vend.
Në gusht të këtij viti, Haskuka kishte emëruar drejtoreshë për Gjeodezi dhe Kadastër, Nora Kelmendin.
E njëjta më parë ka qenë në të njëjtën detyrë në Komunën e Prishtinës, në kohën kur Shpend Ahmeti ishte pjesë e Vetëvendosjes, kur për një kohë të shkurtër kishte qenë edhe këshilltare e Albin Kurtit.
Për më tepër opozita dhe shoqëria civile në Prizren, kanë kritikuar Haskukën për emërimin e një drejtoreshë e cila më herët ka qenë në detyrë në Komunën e Prishtinës, dhe mungesën e emërimit të drejtorëve apo drejtoreshave nga Komuna e Prizrenit, si Komuna e dytë më e madhe në Kosovë.
Haskuka kishte arsyetuar emërimin e Drejtoreshës Kelmendi duke thënë se drejtoresha brenda 1 muaji ka bërë reforma që nuk janë bërë 20 vite në këtë Drejtori. “E unë e vlerësoj në aspektin e punës dhe në aspektin se ku jeton apo sende tjera”, kishte thënë Haskuka.
Mirëpo LAJME365 ka gjetur se Nora Kelmendi në vitin 2010 ishte larguar nga puna nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), për shkak të perfomancës së dobët.
Në dokumentet që ka siguruar LAJME365 shihet e se njëjta në raportin e vlerësimit për perfomancën e saj është vlerësuar me nota 2 dhe 3, kështu duke i ndërprerë kontratën e punës.
Nora Kelmendi kishte ushtruar ankesë në janar të vitit 2011 ndaj vendimit për ndërprerjen e kontratës së punës, por kjo ankesë ishte refuzuar si e pabazuar, dhe vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është cilësuar i ligjshëm, raporton Lajme365.
“Vlerësimi negativ i punës suaj nga mbikëqyrësi i drejpërdrejtë, zv. Drejtori Menaxhues në Divizionin për Realizimin të Aseteve në AKP, është mbështetur gjithashtu edhe me dëshmi ku shihet qartë se juve, ju është tërheque vëmendja për neglizhencë në punë dhe mos realizim të detyrave të punës më tepër se njëherë” thuhet në vendimin për refuzimin e ankesës të siguruar nga LAJME365.
Në raportin për vlerësimin e perfomancës, në fushat për cilësinë e punës vlerësimi me nota nga 1 – 5 ka qenë si në vijim:
Aftësi analitike për zgjidhjen e problemve : 2
Volum dhe saktësia në punë: 2
Aftësi për punë efektive ekipore: 3
Aftësi për të punuar nën presion dhe me mbikqyrje minimale:
Aftësi për të organizuar dhe modifikuar resurset e disponueshme: 2
Aftësi për të punuar me taktikë dhe strategji: 2
Janë këto disa nga vlerësimet për angazhimin dhe punën e drejtoreshës së Haskukës në AKP, të cilës i është ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të perfomancës së dobët.
Opozita dhe shoqëria civile në Prizren kanë kritikuar Haskukën se në mungesë të kuadrove, ai po përballet me sfida në rekrutimin e stafit, e sidomos në arsim, kur për shkak të gjendjes së krijuar ka dorëzuar edhe një kërkesë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prizrenit, që pritet të mbahet së shpejti. / Lajme365