E rëndë: Sulmohet seksualisht një 13-vjeçare në Prizren, i dyshuari bie në pranga

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Në shumë raste, viktima janë vajzat e mitura, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur sot në Prizren, Prokuroria ka nisur hetimet.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një person ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i njëjti ka deklaruar se vajza e tij e mitur është sulmuar seksualisht nga një person.

Bazuar në dëshminë e tij, e gjithë ngjarja ka ndodhur derisa 13-vjeçarja po shkonte në një shitore të lagjes, kur i dyshuari ishte ndalur dhe e kishte marrë vajzën në veturën e tij.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me ç’rast kanë arritur që të identifikojnë të dyshuarin, i cili më pas është arrestuar.

22-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin nga organet e hetuesisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *