Driton Selmanaj: Prizreni meriton qasje tjetër! Prizreni meriton udhëheqje me integritet! Prizreni meriton zhvillim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dega në Prizren, Driton Selmanaj ka mbajtur sot konferencë për media me ç`rast ka ngritur një sërë shqetësimesh të Degës lidhur me keqmenaxhim të parasë publike nga qeverisja komunale në Prizren.

Duke ju referuar të gjeturave të raportit të fundit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për komunën e Prizrenit për vitin 2022, z. Selmanaj i ka bërë thirrje organeve të ndjekjes, që sipas detyrës zyrtare, të iniciojnë hetime penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj bartësve të funksioneve publike në Komunën e Prizrenit.

“Të gjeturat nga Auditori janë identifikuar sipas metodologjisë që ZAP aplikon bazuar në mostra, që do të thotë se këto janë raste sipas mostrave dhe janë indicie e mjaftueshme që këto veprime të zyrtarëve komunalë janë evidente në shumicën e drejtorive të Komunës së Prizrenit”, është shprehur Selmanaj.

Ai ka përmendur rastet e evidentuar në Raport, të cilat për pasojë kanë humbje të mëdha të buxhetit të komunës së Prizrenit, e të cilat kanë të bëjnë me çështjet si: vonesa në realizimin e projekteve kapitale, parregullsi në procedurat e Prokurimit Publik, vonesa në pagesën e obligimeve financiare, zotime të mjeteve financiare pas nënshkrimit të kontratave publike, parregullsi në proceset e subvencionimit të OJQ-ve dhe fermerëve, kosto shtesë si rezultat i pagesave nga vendimet gjyqësore/përmbarimore, ndryshim i kontratës së punës me kohë të caktuar, në kontratë me kohë të pacaktuar si dhe mos verifikimi i 20% të gjendjes aktuale të objekteve.

“Raporti i ZAP-it, në fakt shpërfaqë logjikën kleptokratike të kësaj kaste politike që udhëheqë aktualisht komunën tonë” tha më tej z.Selmanaj.

Kryetari Selmanaj, po ashtu adresoj qëndrimin e Degës lidhur me Kornizën Aftmesme Buxhetore 2024 – 2026 të cilën e vlerësoj si një dokument të shkruar në mënyrë jo profesionale, me elemente diskriminimi, me keq planifikime dhe keq klasifikime të projekteve investive, që për pasojë ky dokument është jo zhvillimor dhe në funksion të interesave klanore e partiake.

Ai i ka rikujtuar kryetarit Shaqir Totaj, premtimin e madh që kishte bërë për ndërtimin e një nënkalimi nga ish BVI-ja deri tek Shtëpia e Bardhë, si dhe parkingun nëntokësor me 290 vendparkingje, premtime këto që kanë mbetur vetëm mashtrim, pasi nuk janë përfshirë fare në Kornizën Aftmesme Buxhetore 2024 – 2026. “Kjo i bjen që dy premtimet kryesore elektorale do mbesin vetëm Premtim dhe Mashtrim”, ka thënë Selmanaj.

Duhet kujtuar se ky dokument është ndër dokumentet themelore dhe shumë të rëndësishme, ku përcaktohen objektivat zhvillimore të komunës së Prizrenit si dhe planifikohen shpenzimet e parasë të taksapaguesve të Komunës së Prizrenit. “Me këtë dokument Komuna do duhej të paraqiste në detaje shpjegimet e politikave dhe prioritetet si dhe planifikimet për projektet që do të realizohen në 3 vitet e ardhshme, gjithmonë duke u bazuar në mundësitë dhe resurset financiare që i ka dhe pritet t’i ketë në dispozicion. Por, fatkeqësisht ky dokument shpërfaq defiqitin e logjikës zhvillimore për Qytetin dhe Komunën tonë. Janë objektiva dhe projeksione të interesave tjera, janë orientim i investimeve atje ku pushteti ka interes të votave dhe interesave të grupeve të caktuara të afërta me pushtetin.”

Nga ana tjetër, janë harruar në plotëni projektet për Rini duke mos e planifikuar asnjë të vetëm, janë harruar projektet për subvencionimet në Bujqësi, turizëm dhe në plot sektorë të tjerë po aq të rendesishëm.

Kjo qasje është e papranueshme, është e dëmshme dhe diskriminuese. Prandaj, në ditën kur ky dokument u aprovua nga Asambleja Komunale, anëtarët e Kuvendit Komunal nga radhët e LDK-së nuk u bënë pjesë e këtij skenari të dëmshëm për qytetarët e Komunës së Prizrenit.

Në fund z. Selmanaj deklaroj se, LDK garanton që do jetë zë i fuqishëm dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet politike që ta ndalojë këtë kulturë të keqe të qeverisjes dhe të abuzimit të taksave të qytetarëve të Prizrenit.

Prizreni meriton qasje tjetër!

Prizreni meriton udhëheqje me integritet!

Prizreni meriton zhvillim, tha në mbyllje të konferencës, kryetari Selmanaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *