Droga nga Shqipëria në Kosovë, si funksiononte grupi prej 6 personash që u kapën nga shteti

Gjykata Themelore e Prizrenit ka vendosur që të caktojë masën e paraburgimit për gjashtë personat e arrestuar nën dyshimet për posedim, shpërndaj dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe analoge. Vendimin për caktimin e paraburgimit prej 1 muaji e ka vendosur gjyqtari Xheladin Osmani.

Koha e paraburgimit do të llogaritet nga momenti i arrestimit që është data 20 prill dhe do të zgjasë deri me datën 20 maj 2022. Personat e arrestuar janë: S.B, B.R, N.M, A.M, A.M dhe GJ.R.

Por cilat janë deri tani provat dhe si kishte funksionuar ky grup që dyshohet për biznes me drogë dhe si i kishin ndarë rrolet.

 Siç njofton Gjykata, i pandehuri Gj.R., i ka shtiur substanca narkotike të llojit marihuanë të pandehurve N.M, A.M., dhe A.M., të cilën substancë narkotike me  automjetin e tipit “Mercedes” me targa të regjistrimit të Republikës së Shqipërisë e transporton nga Shqipëria në Kosovë tek i pandehuri B.R., ku rreth orës 06:30 minuta e kalon pikën kufitare të Vërmicës, i cili më pas në fshatin Vaganicë të Komunës së Mitrovicës takohet me të pandehurin N.M., bashkërisht hyjnë në garazhin e shtëpisë së të pandehurit N.M., për ta dorëzuar substancën narkotike, ku kapen në flagrancë të dy të pandehurit.

 Gjatë kontrollit në automjetin “Mercedes” me targa të regjistrimit të Republikës së Shqipërisë në bunkerin special të automjetit policia gjen 10.5 kg substancë narkotike të dyshuar për marihuanë, në garazhin e shtëpisë, pronë e të pandehurit N.M., policia gjen dy thasë të najlonit në 12 gjegjësisht 15 paketime me peshë 18 kg e 905 gram dhe 12 kg e 206.7 gram, nga ku të pandehurit N.M, A.M., dhe A.M., do ta transportonin në Serbi.

Ndërsa, i pandehuri S.B., marihuanën e marrë nga Gj.R., me  automjetin e tipit “Mercedes” po ashtu me targa të regjistrimit të Republikës së Shqipërisë e transporton nga Shqipëria në Kosovë, ku rreth orës 05:40 minuta e kalon pikën kufitare të Vërmicës, me destinacion të arrijë në Prishtinë, e kur arrin në lagjen “Uglar” të Fushë Kosovës ndalohet nga policia, e gjatë kontrollit të automjetit në bunkerin e modifikuar të automjetit policia gjen mbi 10 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, të destinuar për tregun e Prishtinës.

“Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, dhe rrezikun se disa nga të pandehurit mund të arratisen pasi që janë shtetas të Shqipërisë dhe nuk kanë vendqëndrim në Republikën e Kosovës, kjo tregon rrezikun e arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale. Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyrën dhe rrethanat që dyshohen se është kryer vepra penale, dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale nëse ndaj të pandehurve do të caktohej ndonjë masë alternative, andaj Gjykata vendosi për caktimin e paraburgimit, për shkak të mbarëvajtjes së procedurës së rregullt të procedurës penale – hetimore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *