“Duda Balje bëhet deputete nëse Supremja nuk e ndryshon vendimin e sotëm për votat e komunitetit boshnjak”
Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se nëse vendimi i PZAP-së për anulimin e një pjese të votave për subjektet politike nga komuniteti boshnjak nuk apelohet në Supreme, atëherë Adrijana Hodzic do të mbetet jashtë Kuvendit.
Cakolli në një shkrim në Facebook ka thënë se në vend të saj, ulësen do ta fitojë ish-deputetja Duda Balje.
“Nëse vendimi i PZAP-së për anulimin e një pjese të votave të subjekteve politike nga komuniteti boshnjak, nuk apelohet apo ndryshohet nga Gjykata Supreme, atëherë Adrijana Hodzic, përkatësisht subjekti i saj, do të mbetet jashtë Kuvendit. Në vend të saj, ulësen do t’a fitojë Socialdemokratska Unija, me kandidaten Duda Balje – si më e votuara në radhët e këtij subjekti”, ka thënë Cakolli.
Sot Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar pjesërisht ankesat e paraqitura nga subjektet politike Nasha Iniciativa, Unioni Social Demokrat dhe Nova Demokrastska Stranka lidhur me rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ për zgjedhjet e 14 shkurtit.
PZAP ka marrë vendim që të anulohen në tërësi votat për subjektet politike boshnjake në këto komuna: Zubin Potok, Shtërpcë, Ranillug, Garaqanicë, Partesh, Kollokot dhe Novobërdë.
Po ashtu PZAP ka anuluar pjesërisht votat për subjektet politike Ujedinjena Zajednica Adrijana Hodzic dhe Koalicionit VAKAT.