EC Ma Ndryshe: Në shumicën e komunave ende nuk ka sistem të menaxhimit të të dhënave mjedisore
EC Ma Ndryshe ka publikuar raportet e monitorimit të sektorëve të mjedisit për shtatë komunat e mëdha: Prizren, Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Pejë dhe Gjakovë për vitin 2021.
Gjetjet e këtyre raporteve në kapituj të caktuar kanë identifikuar mangësitë aktuale në sektorët e mjedisit në këto komuna, që kërkojnë vëmendje më të shtuar nga autoritetet përgjegjëse.
Metodologjia e ndjekur nga EC Ma Ndryshe për përpilimin e këtyre raporteve ka marr në konsideratë 12 akte ligjore dhe nënligjore që adresojnë aspekte të ndryshme të mbrojtjes së mjedisit.
Gjetjet e këtyre raporteve pasqyrojnë gjendjen reale në sektorët e mjedisit, bashkë me mundësitë për të ngritur dhe përmirësuar çështjet mjedisore në këto komuna. Mungesa e sektorit për mjedis në komunën e Gjilanit, së bashku me burimet e pamjaftueshme njerëzore dhe financiare të cilat paraqiten në komunat e monitoruara po reflektohet edhe në gjendjen aktuale mjedisore.
Shkalla e hartimit dhe zbatimit të politikave lokale për planifikimin dhe menaxhimin mjedisor mbetet problematik, për faktin se nuk ka organizim të mirëfilltë në këtë aspekt. Rrjedha aktuale e hartimit dhe zbatimit të dokumenteve të planifikimit dhe menaxhimit të mjedisit, projekteve dhe masave për mbrojtjen e mjedisit në 7 komunat aktualisht e bën të vështirë matjen e efikasitetit të këtyre veprimeve në përmirësimin e gjendjes mjedisore.
Niveli i inspektimit si dhe hartimi i raporteve përkatëse lidhur me zbatimin e kornizës ligjore të mbrojtjes së mjedisit dhe të zbatimit të strategjive mjedisore mbeten të paqarta për shkak të mos shpalosjes së të dhënave në këtë drejtim, derisa është pranuar se në tregues të caktuar nuk ka as monitorim.
Në shumicën e komunave ende nuk ka sistem të menaxhimit të të dhënave mjedisore, për shkak të mungesës së resurseve teknike dhe njerëzore për krijimin, grumbullimin dhe menaxhimin e të dhënave mjedisore. Por vlen të theksohet se kanë raporte të rregullta vjetore të cilat përditësohen në mënyrë periodike.
Bashkëpunimi ndërinstitucional në hartimin e politikave publike vlerësohet të jetë i pamjaftueshëm, derisa bashkëpunimi me shoqërinë civile në hartimin e politikave lokale vlerësohet kryesisht si i mjaftueshëm, derisa pjesëmarrja publike është vlerësuar në përgjithësi si jo e mirë.
Sa i përket lejeve mjedisore komunat duhet të shtojnë kujdesin edhe për raportim më efikas të lëshimit të tyre, kjo pasi për disa prej tyre në këtë pjesë dhe per licencat mjedisore nuk ka pas përgjigje.
Në fund të raportit janë adresuar edhe disa rekomandime, si: të shqyrtohen mundësitë për shtimin e punonjësve profesionistë dhe të organizohen trajnime për punonjësit e këtyre sektorëve/drejtorive rreth kornizës ligjore dhe rreth çështjeve mjedisore, të përmirësohet hartimi dhe zbatimi i dokumenteve të planifikimit dhe menaxhimit të mjedisit, të përditësohen planet e nivelit lokal për menaxhim mjedisor së bashku me raportim dhe zbatim të tyre dhe të avancohet bashkëpunimi me nivelin qendor dhe OJQ në shumë aspekte të çështjeve mjedisore. Përfillja e këtyre rekomandimeve, do të na dërgonte drejt përmirësimeve dhe plotësimeve në proceset e planifikimit dhe menaxhimit mjedisor, drejt arritjes së rezultateve më të qëndrueshme në sektorët e mjedisit dhe mbrojtjen e resurseve natyrore.