Falimentojnë rreth 1500 biznese gjatë 2023-ës

Gjatë vitit 2023 janë shuar rreth 1500 biznese në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ndonëse Administrata Tatimore e Kosovës gjatë kësaj periudhe ka mbyllur veprimtarinë e vetëm 20 bizneseve, pasi që nuk mund të çregjistrohet asnjë biznes pa i kryer obligimet dhe detyrimet ndaj Administratës Tatimore.

Mungesa e politikave zhvillimore dhe qasja e kufizuar në financa, vlerësohen disa nga barrierat që çojnë në vështirësi të mëdha bizneset dhe të cilat mund të jenë si faktorë kontribuues në falimentimin e shumë prej tyre.

Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thonë se gjatë periudhës janar-nëntor 2023, numri i bizneseve të regjistruara është 10 mijë e 790, ndërsa 1 mijë e 497 janë mbyllur. MINT-i potencon se trendi i hapjes dhe mbylljes së bizneseve është i ngjashëm me atë të vitit 2022.

Ndërkaq, shifrat e hapjes dhe mbylljes së bizneseve në Kosovë janë të ndryshme nga MINT-i dhe ATK-ja.

Zëdhënësja e Administratës Tatimore e Kosovës, Valentina Bytyqi-Sefa në një prononcim për KosovaPress tha se numri i bizneseve, të cilat janë hapur në vitin 2023 është mbi 20 mijë, ndërsa 20 të tjera kanë përmbyllur veprimtarinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *