Gastronomët: 200 milionë eurot e rimëkëmbjes të ndahen në proporcion me dëmet
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka reaguar pas kalimit të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa, ku përveç ndryshimit të politikave fiskale, parashihen edhe mbështetje financiare për bizneset e prekura nga pandemia dhe ata që kanë mbetur papunë.
Në një njoftim për media thuhet se të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se sektori i gastronomisë është më i godituri në vend, me një rënie prej 64 për qind, teksa raportet hulumtuese tregojnë se 88% e bizneseve deri në tetor kanë pësuar humbje të thella dhe 12% prej tyre janë në rentabilitet.
Nga këto të fundit, vetëm 2% e bizneseve mund të mbijetojnë nëse nuk marrin ndihmë nga Qeveria, ndërsa 10% do të falimentojnë. Sipas këtij hulumtimi, nga ndikimi i pandemisë dhe masave të qeverisë në tregun e punës, kemi të raportuar që 36% e bizneseve të gastronomisë janë detyruar të largojnë nga puna punëtorët si pasojë e zvogëlimit të vëllimit të ushtrimit të veprimtarisë dhe problemeve të likuiditetit, apo rreth 10,000 punëtorë të larguar nga puna, thuhet në njoftim.
Nëse kjo vazhdon më tutje, gastronomët paralajmërojnë se bizneset do të largojnë më shumë staf nga puna dhe kërkojnë që ky sektor të jetë prioritet në ndarjen e mjeteve financiare nga projektligji 200 milionë eurosh për shkak të dëmeve të shkaktuara dhe ndarja të mos bëhet njësoj për të gjithë sektorët.