Gastronomët të shqetësuar me vendimin për ndalimin e cigares në ambiente të mbyllura, puna bie për mbi 50%

Rreth 50 për qind e punës ka rënë nëpër lokalet e gastronomisë shkaku i ndalimit të pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura. E për këtë pronarë e menaxherë kanë kërkuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të ndryshojë ky vendim.

Ata kanë thënë se klientët që frekuentojnë këto vende janë duhanpirës dhe se institucionet duhet ta lejojnë një pjesë për klientët që pinë cigare.

Muhamet Brajshori, menaxher në një kafene, ka thënë për Ekonominë Online se Shoqata e Gastronomëve ka bërë ankesë dhe pret që Ministria të marrë ndonjë vendim të ri.

“Po na dëmton shumë se ndikon direkt produkteve që i kem. Na ndikon shumë, presim ndonjë vendim të ri nga Ministria dhe shpresojmë ta ndryshojë. Shoqata e Gastronomeve ka bërë ankesë, të shohim sa mund të ndikojë. Janë pakësu shumë klientët ka ndikim shumë të madh 50 për qind mundet të ketë më pak klientë”, ka thënë ai.

Ndërsa Egzon Kaçiu, menaxher në “Derada”, ka thënë se vendimi për ndalim të duhanit në ambiente të mbyllura është i arsyeshëm, por që pret ndryshim nga Ministria.

Ai pret që një pjesë e lokaleve të lejohet për klientët që pinë cigare.

“Sa i përket klientëve po vërehet shumë që u ndalu cigarja nuk po pihet, çdo restorant ka mungesë të klientëve dhe kështu që Ministria duhet me shqyrtua (këtë vendim), sidomos gastronomet e kanë më problem. Si çdo restorant tjetër edhe te ne ka ndikuar mospirja e cigares, nëpër lokale është pak ma problem puna ka rënë pak më shumë klientët zakonisht shumica e janë duhanpirës”, ka thënë Kaçiu.

“Ministria nuk e kanë edhe të lehtë se edhe ata duhet me ditë se çdo qytetarë duhet me ditë që cigarja nuk pihet në çdo vend duhet mu pi në vende të caktuar sikur në Evropë. Është vendim i arsyeshëm edhe mos mu pi pak për neve është problem. Ministria duhet ta tolerojë një pjesë, njërën pjesë të lokalit të pihet dhe njërën pjesë të mos pihet cigarja”, u shpreh ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *