Hajnat në Ferizaj thyejnë veturën e çiftit prizrenas, marrin stoli ari në vlerë të 8 mijë eurove
Hajnat në Kosovë përveç shtëpive e biznese të ndryshme që i kanë cak për t’i bërë qyl, siç duket janë në gjendje edhe të shfrytëzojnë çdo situatë që të ‘kapin’ sado pak para e gjësende me vlerë. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në parkingun e pompës Hib Petrol në Bibaj të Ferizajt.
Këtë herë viktimë ishte një çift nga Prizreni që mbetën pa stolitë e arit në vlerë të rreth 8 mijë eurove.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites të së enjtes.
Sipas informatave të para, hajni dyshohet se shfrytëzoi momentin kur çifti dolën nga vetura dhe u larguan. Me plan të detajuar, ai dyshohet se hapi njërën derë, mori kutinë me stoli të arit, të mijëra eurove dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Ai dyshohet se ishte me një veturë, e cila po ashtu ishte parkuar afër veturës së prizrenasit, për t’i kapur ato që kishin synim sa më shpejt.
Gjithë këtë situatë, çifti e ka përshkruar në Polici, me rastin e denoncimit. Para hetuesve policorë, ata kanë deklaruar se vetura e hajnave është larguar në një drejtim të panjohur.
Si rezultat i raportimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet, me ç’rast janë siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë, që do të ndihmojnë në identifikimin e të dyshuarve. /GazetaSinjali/