Haskuka vizitë Spitalit të Prizrenit, ku po trajtohen 62 pacientë me Covid-19

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, përmes një postimi në facebook, njofton se gjatë ditës së sotme ka vizituar Spitalin e Prizrenit, me ç’rast ka zhvilluar një takim me drejtuesit e këtij institucioni shëndetësor, pas rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19 ditëve të fundit.

Postimi i plotë i Haskukës

Pas shtimit të numrit të të infektuarve me COVID-19, sot kam vizituar Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku nga drejtori Afrim Avdaj, u njoftova se momentalisht në këtë spital po trajtohen 62 persona të prekur me COVID-19.

Gjatë takimit u dakorduam që të vazhdojmë bashkëpunimin mes Komunës së Prizrenit dhe Spitalit Rajonal, në mënyrë që edhe këtë fazë ta tejkalojmë me sa më pak pasoja.

Me këtë rast dua t’ju njoftoj se nga dita e djeshme ekipet mjekësore të QKMF-së janë duke kujdestaruar në pikën kufitare në Morinë dhe se po ashtu kam marrë vendim për ri-formimin e Shtabit Emergjent Lokal, ku së bashku me akterët relevantë do t’i koordinojmë hapat e mëtutjeshme në drejtim të parandalimit të përhapjes së virusit.

Virusi është në mes nesh dhe aktualisht mundësia e infektimit është shumë e lartë! Andaj ju lutemi që t’i respektoni masat, sepse ky virus mund të luftohet vetëm nëse veprojmë së bashku!

Të mbulojmë gojën dhe hundën me maskë! 😷
Të mbajmë higjienën! 🧼
Të ruajmë distancën!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *