Hetime për para të falsifikuara në Prizren, sekuestrohen monedhat e dyshimta
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë një periudhe prej më shumë se dy muajsh në Prizren janë pranuar monedha dhe bankënota të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.
Sipas njoftimit, rasti është raportuar të ketë ndodhur në intervalin kohor nga 1 marsi deri më 7 maj 2025, dhe përfshin disa raste të pranimit të parave të dyshimta prej personave ende të paidentifikuar.
“Është raportuar se gjatë periudhës së cekur kohore, nga persona të panjohur janë pranuar bankënota dhe monedha metalike të cilat dyshohet se mund të jenë të falsifikuara”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë, raporton Telegrafi.
Aty theksohet se paratë e dyshimta janë sekuestruar nga autoritetet dhe janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme forenzike. Për këtë rast është njoftuar edhe Prokurori i shtetit, i cili do të mbikëqyrë hetimet.