I premtoi punësimin e një familjari, arrestohet i dyshuari nga Korisha për mashtrim
Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Korishë, në Prizren është arrestuar një person i dyshuar për mashtrim.
Sipas Policisë, i dyshuari me qëllim të përfitimit personal në mënyrë të kundërligjshme i ka premtuar viktimës se do ta punësojë një anëtar të familjes së tij në spital dhe i ka marrë një shumë parash.
“Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonal të Prizrenit ka qenë duke mbledhur prova dhe dëshmi lidhur për një rast “Mashtrimi” të raportuar me datë 01.09.2022.
Pas një pune operativo-hetimore disa mujore, duke i zbatuar masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit, me datën 08.02.2023, rreth orës 13:00, hetuesit kanë arrestuar një të dyshuar ( E.L. 35 vjeç, mjekë), për shkak të dyshimit të arsyeshëm se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, duke filluar nga muaji prill i vitit 2021, duke i premtuar viktimës se do i ndihmonte në punësimin e anëtarit të familjes (vajzën) në Spitalin Rajonal në Prizren, arrin që ta bind viktimën që t’ia jep fillimisht 4.000 Euro dhe në vazhdimësi duke i marrë edhe shuma të tjera, vlera e të cilave arrin në total rreth 10000 (dhjet mijë) Euro.
Pas arrestimit, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe në bazë të urdhrit verbal të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake është bërë kontrollimi i shtëpisë dhe objekteve tjera përcjellëse të dyshuarit.
Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve tjera përcjellëse nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
I dyshuari është intervistuar nga hetuesit rajonal dhe me vendim të Prokurorit të shtetit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve. Rasti është nën hetime.” thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.