I riu me ‘Land Rover’ kapet me kokainë në Prizren, thotë se e ka për përdorim personal
Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë të cilët shpesh kapen në flagrancë nga policia.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në rrugën ‘Ekrem Rexha’ në Prizren, ku një patrullë e Policisë ka ndalur një veturë të tipit ‘Land Rover’. Gjatë kontrollit, te shoferi 29-vjeçar, Policia ka gjetur tri qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
29-vjeçari është arrestuar menjëherë dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka deklaruar se drogën që i është gjetur, e ka për përdorim personal.
Me vendim të prokurorit, ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve apo substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit./Gazeta Sinjal