Ia dha 60 kub drunj një kompanie private, kërkohet paraburgim për zyrtarin e Autoritetit Pyjor të Prizrenit
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar paraburgim për zyrtarin e Autoritetit Pyjor të Komunës së Prizrenit, me inicialet I.O.
Ai dyshohet se nuk e ka përfillur kërkesën e dikasterit ku punonte dhe 60 metër kub drunj ia ka dhënë një kompanie private.
“Sipas kërkesës, i dyshuari I.O me datë 27.01.2022 në cilësinë e personit zyrtar – si përgjegjës, përkatësisht inxhinier i pylltarisë pranë Autoritetit Pyjor në kuadër të Komunës së Prizrenit vepron në kundërshtim me kërkesën e Drejtorisë së Shërbimeve Publike të kësaj komune, e cila kishte kërkuar që drunjtë e prerë në parkun e qytetit të Prizrenit, duhej të dërgoheshin në hapësirat e Shërbimit të Pylltarisë, por i njëjti nuk e përfill kërkesën në fjalë me ç’rast vëllimin prej 60 metër kub të drunjve ia jep një kompanie private.” thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Tutje, bëhet e ditur se duke vepruar në këtë mënyrë, i njëjti dyshohet të jetë përfshirë në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.