Infektiva edhe sot e mbushur me pacientë, kërkohen masa shtesë mbrojtëse
U.D. i drejtorit të Klinikës Infektive, Izet Sadiku, ka treguar se gjendja në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës vazhdon të jetë e rëndë.
Ai ka thënë se nuk ka shtetër të lirë për qëndrim 24-orësh në këtë klinikë.
“Klinika Infektive vazhdon t’i ketë të mbushura kapacitetet me pacientë për arsye se është klinika e parë për COVID-in. Orientimi i parë i pacientëve është këtu. Këtë 10 ditëshin e fundit e kemi një kapacitet të shtuar. Ne jemi duke e dhënë trajtimin vazhdimisht edhe pse kemi staf të infektuar.
“Me forcat tona po japim ndihmë për të gjithë ata. Kërkesat për shtrime në spital janë të mëdha. Janë 120-122 pacientë, janë të mbushura kapacitet e klinikës me pacientë. Shtretër të lirë me qëndru 24 orë nuk kemi asnjë, kërkesat janë të mëdha, është rritur shumë numri i pacientëve”, ka thënë ai për Indeksonline.
Sadiku ka deklaruar se nëse vazhdon ky trend i rritjes së rasteve me koronavirusin, duhet vendosur masa të reja.
“Nëse vazhdon ky trend i rritjes së rasteve duhet vendosur masa të reja. Shumë vende në Evropë po bëjnë mbyllje”, ka shtuar ai.