Infektologu flet për situatën me Covid: Varianti britanik ka ndikuar në përhapjen më masive të infeksionit
Ditëve të fundit është vërejtur një rënie e lehtë e rasteve të reja me COVID-19, por prapë Klinika Infektive është e ngarkuar me pacientë të infektuar.
Infektologu Arben Vishaj, në Klan Kosova, bëri të ditur se Klinika Infektive vazhdon të mbetet e ngarkuar sidomos pas përhapjes së variantit të ri britanik të COVID-19.
“Për momentin i kemi 117 pacientë të hospitalizuar. Është e vërtetë që varianti britanik është prezent në vendin tonë dhe mbase ky variant ka ndikuar në përhapjen më masive të infeksionit me COVID-19”.
“Gjendja paraqitet pothuajse e njëjtë – e rëndë sikur që ka qenë gjithmonë. Kjo është një gjendje krejtësisht e veçantë nga protokollet e sëmundjeve infektive”.
Infektologu mes tjerash bëri të ditur se kohëve të fundit është rritur kohëzgjatja e hospitalizimit, teksa për trajtim dominojnë moshat e shtyera.
“Çdo ditë diku tre deri në pesë pacientë ndodh që i lirojmë. Por, menjëherë brenda ditës këto vende mbushen ndërsa kohëzgjatja e trajtimit është më e rritur – ne ende për këtë muaj nuk i kemi bërë parametrat statistikore që ta dimë me përqindje më të saktë. Në përgjithësi është rritur kohëzgjatja e hospitalizimit”.
“Dominojnë moshat e vjetra, por kohëve të fundit kemi edhe mosha që janë të mesme që trajtohen në klinikën tonë”.
Tutje, Vishaj bëri të ditur se nga 117 pacientë nga ta 105 janë në oksigjeno-terapi.
“Për momentin i kemi 117 pacientë ku praktikisht e kemi të mbushur tërë kapacitetin e hospitalizimit ku prej tyre 105 janë në oksigjeno-terapi dhe katër pacientë janë në kujdesin intenziv”.