Infektologu kosovar: Gjendja me koronavirus është rënduar
Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë se situata e pandemisë në Kosovë është e rënduar pasi nuk janë respektuar masat anti-Covid. Ai shton se tubimet partiake për zgjedhjet elektorale, mos-mbajtja e maskës nga qytetarët kanë çuar në rritjen e rasteve të vdekshmërisë dhe indektimeve në Kosovë.
“Situata në Kosovë është e keqe dhe e rënduar dhe çdo ditë me shifra të rritura, qoftë në infeksione ashtu dhe në vdekshmëri. Ditët që kaluan në vendin tonë kishte disa grumbullime, ndërsa masat epidemiologjike nuk po respektohen në masat e duhura dhe qytetarët nuk respektojnë distancën. Këtë janë faktorë, që situatën në Kosovë e kemi të rëndë dhe të rënduar dhe me një trend progresiv të rritjes së rasteve”, tha ai për Euroneës Albania.
Mjeku tha se mungesa e një vaksine do bëjë që rastet e infektimeve me koronavirus do vijnë në rritje.
Kosova ka pësuar një rritje të numrit të të prekurve në ditët e para të muajit mars. Në tetë ditët e para të marsit janë regjistruar 4405 raste të reja si dhe 56 humbje jete. Në dy ditët e para të këtij muaji numri i të infektuarve dha sinjalet e para për një progres në rritje, teksa ishin mbi 450 të prekur.
Në Ditët pasardhëse, nga data 3 mars, kurba e infektimit pësoi një rritje akoma dhe më të madhe, duke pasur mbi 550 të prekur në pjesën më të madhe të javës. Në datat 5 dhe 6 mars numri i të prekurve ishte 591 dhe 592 raste, dy datat që shënuan dhe numrin më të lartë të të prekurve në këtë fillim marsi.