IPK kërkon supsendimin e komandantëve të Policisë në Prizren dhe Zhur, kjo është arsyeja
Inspektorati Policor i Kosovës në një komunikatë për media ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policor, nën dyshimet se të njëjtit kanë bërë keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në një njoftim për media nga IPK-ja kanë thënë se hetimet për këtë rast kishin filluar kur ky institucion kishte marrë informacione se dy zyrtarë policorë të stacionit të Prizrenit, kishin hyrë pa autorizim në një gjobë për kundërvajtje në trafik.
“Hetimet lidhur me këtë rast kanë filluar ditë më herët ku hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione se dy zyrtarë policorë (komandanti i stacionit të Prizrenit me gradën e majorit dhe komandanti i nën stacionit policor të Zhurit me gradën e rreshterit) kanë ndërhyrë pa autorizim në një gjobë për kundërvajtje në trafik me ç’rast dyshohet se janë ndryshuar neni dhe paragrafi, pastaj është ndryshuar vlera e gjobës.
Dyshimet janë se gjatë ndërhyrjes së paautorizuar janë larguar edhe pikët negative të shqiptuara si dhe është revokuar ndalesa për vozitje dhe konfiskimi i patentë shoferit”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, bëhet e ditur.