Ja nga cila ditë pritet freskim i motit
I nxehti përvëlues që e ka përfshirë vendin tonë tash e sa ditë, do të vazhdojë edhe gjatë këtyre ditëve, edhe pse të dielën sadopak solli freskim në zona të caktuara, të cilat u karakterizuan me rrebeshe shiu dhe shkarkesa rrufesh.
Pra, gjatë këtyre ditëve do të mbajë mot kryesisht me diell dhe jashtëzakonisht i nxehtë, megjithatë gradualisht nga dita e mërkurë kushtet e motit nuk do të jenë krejtësisht stabile, pasi pritet të ketë ndonjë rrebesh të izoluar në zona të caktuara.
Këto kushte me mot të paqëndrueshëm do të fillojnë të fuqizohen nga dita e enjte e në fundjavë, duke sjellur gjatë ditës rrebeshe lokale shiu, breshër e shkarkesa rrufesh, por jo të gjithë vendin sipas parashikimeve aktuale.
Masa pak më të freskëta priten në fundjavë, duke sjellur edhe ulje të lehtë të temperaturave në vlerat maksimale, ndërsa në ditët paraprake do të jenë kryesisht më të ulëta vetëm në zonat me të reshura.
Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila në pjesën e dytë të javës pritet kohë pas kohe të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-50 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 19 deri në 22°C, ndërsa ato maksimale prej 29 deri në 39°C.