Ju faleminderit atyre që e mbajtët gjallë sportin

Vitet 90-ta, ishin vitet të vështira, ishin vite kur Kosova luftonte okupatorin me mjete paqësore, përmes arsimit dhe sportit.

Shkruan: Lulzim Ibri

Këto ishin shtyllat kryesore ku mbështetej lufta për pavarësi. Sporti ashtu sikurse edhe arsimi, ishin pavarësuar dhe vepronin të pavarura nga pushtuesi.  Sporti zhvillohej aty ku kishte pak mundësi, edhe pse të përndjekur, të maltretuar e të persekutuar, megjithatë ai vazhdonte fuqishëm  rrugëtimin dhe kundërshtimin e vet, si mjeti me i fuqishëm “duarthatë” kundër okupatorit. Këtë luftë speciale përmes sportit dhe lojës e zhvillonin futbollistët, e drejtonin udhëheqësit guximtarë të klubeve sportive, të cilët te sportistët dhe te popullata zhvillonin dashurinë për atëdheun, ngulitën thellë urrejtjen ndaj armikut dhe ngritën lartë ndjenën e patriotizmit. Të gjitha këto, me guxim i pasqyronin gazetarët trima të kohës.

Të gjithë kishin një synim lirimin nga pushtuesi. Pika më e fuqishme e sportit ishte futbolli, por edhe sportet tjera ishin në krah të futbollit dhe së bashku shkonin në hap drejt lirisë.

Të shumtë ishin ata që dhanë kontribut në këtë drejtim, (sportistë, trajnerë, gjyqtarë, gazetarë, punëtorë sportiv), por ata që mbajtën gjallë këtë veprimtari, ishin pa dyshim donatorët gjithandej Kosovës, që me mjetet e tyre vetanake, mbulonin të gjitha shpenzimet për klubet e veta, vetëm e vetëm, që kjo luftë përmes sportit të kishte sukses.

Përmes sportit këta njerëz trima e patriot, kontribuan që pushtuesi të mos përfillej, që populli të ushqehej me ndjenjën e lirisë, urrejtjen ndaj okupatorit dhe kontribuan që populli të kalitet me ndjenën e atdhedashurisë. 

Ky, në realitet nuk ishte thjeshtë sport, ishte shumë më tepër, ishte urrejtje, kundërshtim dhe veprim politik, ishte luftë përmes lojës dhe sportit, e pa parë ndonjëherë.

Përmes sajë luftohej me tërë qenjen pushtuesi.

Mirëpo edhe në atë kohë kishte njerëz të atillë “pleshta” që gjenin arsyje për të mos qenë pjesë e kësaj përpjekje, e këtij kontributi dhe gjenin justifikime nga më banalet, për të mos qenë pjesë e kësaj lëvizje. Këta ishin njerëz që tej mase e kishin shijuar “socializmin”, ishin njerëz që tej mase kishin përfituar nga pis-regjimi dhe nuk dëshironin ta prishnin rehatinë e vet, nuk donin të prishnin “kumaritë”. Ata urrenin liridashesit, ishin me mish e me shpirtë pjesë e së keqes.

“Niveli dhe autoriteti i tyre” nuk lejonte të luanin në “ligën ilegale”, në terrene jo të përshtatshme nëpër fshatra, ata nuk kishin guxim madje as të shkonin për të parë ndonjë lojë.

Pos tjerash keni dhënë edhe kontribut patriotik, që futbollistët të mos përfshiheshin në “ligat e turpit të kohës”. Sot ata janë krenar për faktin se kanë qenë pjesë e rezistencës dhe krenarisë sonë. 

Më vonë të njejtit, u bënë “zhurmaxhinjtë” më të mëdhenjë, duke i atribuar vetvetes merita të pa qena. Këta njerëz “lule-hitha” pastaj filluan të sulen si “uritha” dhe të zënë poste me rëndësi nëpër klube dhe Federatë, veqanërisht të përkrahur nga politika. Kurse njerzit që kishin rrezikuar vetvetën, por dhe më shumë, u injoruan, u lanë anash, u harruan,  si nga nga ata që sot e udhëheqin sportin, si nga ata që udhëheqin politikën.

Për të ardhur në këtë ditë, për ta gëzar këtë liri edhe sporti me akterët e vet dhe sakrificat e veta, ka dhënë kontributin e tij. Është e turpshme, është fatkeqësi, për shoqërinë tonë, që këta akterë e në veçanti donatorët e asaj kohe nuk nderohen. Jo që nuk nderohen, po këta zemërbardhë, as që i kujton njeri. Vetëm kur ata vdesin, “të pushtetshmit”  i kujtojnë dhe sa për sy e faqe i japin jë “respekt sipërfaqësor mediatik”.

Sta që duhet të kujdesen për këtë kategori, si “struci, kokën në dhe e kan futë”.

Nëpër klube, do të duhej të jenë njerëz të cilët do ta vlerësonin punën, sakrificën dhe kontributin e secilit.

Fatkeqsisht kjo nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodhë. Duhet vullnet dhe dëshirë e sinqertë e drejtuesve të klubeve të futbollit, që këta promotorë, njerëz me zemër të madhe të kujtohen e përkujtohen, me respekt, kjo tregon kulturë. Dihet, se pos që  ka njerëz hipokrit e mediokër, në këtë universin e futbollit kosovar ka edhe njerëz të ditur, të ndershëm e faqebardhë, të cilët duhet të nisin rrugën e re, për vlerësimin e njerëzve të kohës së sakrificës.

Zgjohuni!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *